Identifikohet 24-vjeçarja që humbi jetën në Shkodër, së bashku me dy fëmijët e mitur, pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët.

Nga verifikimet paraprake rezulton se viktima janë Bleona Çelaj, 24 vjeçe, si edhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Trupat e tyre u gjetën brenda banesës së shkrumbuar.

Sipas informacionit zyrtar të Policisë, zjarri është raportuar rreth orës 13:10 në një banesë në pronësi të shtetasit me inicialet B. Ç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë dërguar shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat nisën ndërhyrjen për shuarjen e flakëve.

E reja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania dhe kishte shkuar së bashku me fëmijët në banesën e vjetër të familjes në fshatin Domen. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në rënien e zjarrit.

" "

Operacioni i shpëtimit është vështirësuar nga terreni i thyer, pasi banesa ndodhet rreth 30 minuta larg rrugës automobilistike, çka ka penguar ndërhyrjen e shpejtë të mjeteve zjarrfikëse.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë./ Zoom.al

sqShqip