Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar se me një grant prej 2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian do të realizohet projekti për automatizimin e plotë të terminaleve kufitare përmes sistemit të kufijve inteligjentë.
Sipas Dautit, sistemi i ri do të përshpejtojë qarkullimin e mallrave, do të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes në pikat kufitare dhe do të ulë kostot për kompanitë. Importi, eksporti dhe tranziti do të regjistrohen automatikisht brenda pak sekondash, duke rritur efikasitetin e procedurave doganore.
Ai bëri të ditur se pas përfundimit të procedurës së tenderimit publik, tashmë është nënshkruar kontrata për furnizimin me pajisje, ndërsa zbatimi i projektit pritet të përfundojë deri në mesin e vitit të ardhshëm.
Projekti parashikon instalimin e rampave digjitale, peshoreve moderne, sistemeve të video-analitikës dhe teknologjisë për njohjen automatike të targave. Këto investime synojnë të rrisin efikasitetin e kontrolleve kufitare, të sigurojnë përputhshmëri me standardet evropiane dhe të forcojnë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit doganor dhe lehtësimit të tregtisë ndërkufitare”, theksoi zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti.

