Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka theksuar se Struga po përjeton një ritëm të ri zhvillimi falë bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
Hoxha bëri të ditur se së bashku me zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, si dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, kanë inspektuar nga afër punimet në projektin “Rruga e Ndryshimit”.
Sipas tij, në Strugë po punohet si asnjëherë më parë, ndërsa Qeveria ka ndarë mbi 10 milionë euro për realizimin e projekteve infrastrukturore që synojnë të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe të modernizojnë qytetin.
Hoxha vlerësoi angazhimin e kryetarit Mendi Qyra, duke theksuar se rezultatet janë të dukshme kur institucionet bashkëpunojnë dhe projektet kanë vizion të qartë.
“Kur në fushatë flisnim për bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe atij qendror, kishim parasysh pikërisht projekte të tilla. Struga fiton kur institucionet punojnë në të njëjtin drejtim”, ka deklaruar Hoxha.

