Bashkim Murtezi ka njoftuar se tërhiqet nga detyra e përgjegjësit të Komisionit Kadrovik të VLEN-it, nga anëtarësia në Kuvendin Qendror të koalicionit, si dhe nga angazhimi i tij aktiv politik, por ka bërë të qartë se kjo nuk nënkupton largim nga VLEN-i.

Në një mesazh drejtuar drejtuesve dhe strukturave të koalicionit, Murtezi ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë më 24 korrik 2026, pas pesë vitesh angazhim politik.

“Ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të luftuar dhe një kohë për t’u ndalur e për ta falënderuar Zotin për atë që është bërë me qëllim të mirë”, ka shkruar Murtezi.

Ai ka theksuar se gjatë gjithë rrugëtimit të tij politik ka vepruar me bindjen se ndryshimi është i mundur dhe se politika duhet të shihet si shërbim ndaj qytetarëve, jo si karrierë personale.

" "

“Për mua politika është shërbesë, e jo karrierë. Vlera e një ideali nuk matet me tituj apo zyra, por me përkushtimin dhe sakrificën që u japim njerëzve dhe kauzës që na bashkon”, ka deklaruar ai.

Murtezi ka rikujtuar angazhimin e tij si sekretar organizativ i Alternativës, si pjesë e shtabeve të VLEN-it në proceset zgjedhore, si dhe në krye të Komisionit Kadrovik të koalicionit.

Sipas tij, puna në këtë komision ka kontribuar në realizimin e përfaqësimit institucional të shqiptarëve.

“Ky angazhim solli mbi 2400 punësime dhe qindra avancime, duke bërë që përfaqësimi i shqiptarëve dhe i subjekteve tona të ishte i drejtë në çdo nivel të qeverisjes”, ka shkruar Murtezi.

Ai ka theksuar se vendimi i tij është një përmbyllje e një kapitulli politik, por jo një shkëputje nga ideali dhe njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar.

“Unë largohem nga pozitat, por jo nga dashuria dhe përkushtimi ndaj idealit që na bashkoi. Idealet nuk kanë nevojë për tituj. Ato jetojnë te njerëzit që besojnë në to”, ka theksuar ai.

Murtezi ka falënderuar aktivistët dhe bashkëpunëtorët e VLEN-it për mbështetjen gjatë viteve të angazhimit dhe ka uruar që koalicioni të vazhdojë rrugëtimin me energji të reja.

“Pavarësisht se fizikisht nuk do të jem brenda strukturave, unë do të jem gjithmonë pranë, i gatshëm ta ngre zërin kur të ndjej se rruga largohet nga parimet tona”, ka shkruar Murtezi.

Ai e ka përmbyllur mesazhin duke bërë thirrje për ruajtjen e moralit, besimit dhe njerëzores në politikë.

sqShqip