Sipas informacioneve që kemi, në shpalljen aktuale për sistemimin e punonjësve në HEC “Mavrovë”, parashikohet që me vendim pune të sistemohen 56 maqedonas dhe vetëm 12 shqiptarë.
Nëse këto të dhëna janë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të ri dhe me një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Gostivari është qytet me shumicë absolute shqiptare. Kjo ndërmarrje historikisht ka pasur një dominim të theksuar të të punësuarve maqedonas. Pikërisht për këtë arsye, çdo punësim i ri duhej të kontribuonte në ngushtimin e këtij hendeku, e jo në thellimin e tij.
Pas heqjes së balansuesit, na u tha se askush nuk do të diskriminohej dhe se përfaqësimi i drejtë do të garantohej me mekanizma të rinj. Sot po shohim të kundërtën. Në vend që pabarazia të zvogëlohet, ajo po thellohet.
Nëse vërtet sistemohen 56 maqedonas dhe vetëm 12 shqiptarë, atëherë mbi 82% e vendeve të punës u takojnë maqedonasve dhe vetëm rreth 18% shqiptarëve, në një qytet ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë.

