Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka vizituar Pikën Kufitare Deve Bair, duke theksuar rëndësinë strategjike të saj për transportin dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe investimet që po realizohen për modernizimin e infrastrukturës.
Sipas Dautit, gjatë vizitës ai është njohur nga afër me punën e doganierëve dhe vëllimin e madh të aktiviteteve që zhvillohen në këtë pikë kufitare, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Ai vlerësoi angazhimin e punonjësve të Doganës, duke theksuar se ata kryejnë detyrën me profesionalizëm, përgjegjësi dhe integritet, duke garantuar qarkullimin e rregullt të mallrave dhe udhëtarëve, si dhe mbrojtjen e kufirit dhe interesave ekonomike të shtetit.
Dauti bëri të ditur se Deve Bair mbetet një nyje strategjike për ekonominë e vendit, duke theksuar se gjatë një viti në këtë pikë kufitare kalojnë rreth 300 mijë automjete të rënda (kamionë), në hyrje dhe dalje të shtetit.
Ai njoftoi gjithashtu se në këtë pikë kufitare po zhvillohen punime për rinovimin e objektit ekzistues, si dhe për ndërtimin e një terminali të ri doganor, investime që, sipas tij, do të rrisin kapacitetet infrastrukturore, do të përshpejtojnë procedurat doganore dhe do të krijojnë kushte më të mira për punonjësit, transportuesit dhe qytetarët.
“Institucioni ynë mbështetet mbi profesionalizmin dhe integritetin e çdo doganieri, ndërsa ne do të vazhdojmë të investojmë në forcimin e kapaciteteve, modernizimin e proceseve dhe krijimin e kushteve edhe më të mira për një doganë efikase, të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi Dauti.
Në fund të postimit të tij, zëvendësdrejtori i Doganave shprehu mirënjohje për të gjithë doganierët për angazhimin dhe punën e tyre të përditshme, duke theksuar se rezultatet e institucionit janë fryt i përkushtimit të tyre.

