Maqedoni

Aktakuza: Labinot Gruda e Kadri Shala planifikuan vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Labinot Gruda e Kadri Shala po akuzohen nga Prokuroria Speciale për disa vepra penale në lidhje me vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës së Prishtinës – Departamentit Special që të ftojë 11 dëshmitarë, të cilët do të japin dëshminë e tyre për vjedhjen e 2 milionë e 995 mijë e 77 eurove e 90 centë.

Në aktakuzën e siguruar nga Kallxo.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit të kaluar, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK” ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avans, donacione e kryerje të borxheve.

1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonieres dhe pompës së betonit.

Po ashtu, Prokuroria Speciale ka përshkruar në aktakuzën e siguruar nga Kallxo.com se Kadri Shala nga data 9 tetor deri më 15 tetor 2020 ka tërhequr nga banka 221 mijë e 582 euro e 26 centë nën arsyetimin për pagesa dhe nevoja të kompanisë.

Siç thuhet në aktakuzë te përshkrimi i tërheqjes së mjeteve Shala ka përdorur arsyetimet për tërheqjen e mjeteve për nevoja të kompanisë, për pagesa të punëtorëve e pagesa të betonit.

Me këto veprime Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngarkuar Shalën me veprën tjetër penale të cilën e ka kryer në bashkëkryerje me Labinot Grudën për shpëlarje parash.

Mbi 2 milionë euro u “zhdukën” nga Thesari i Shtetit tetorin e vitit të kaluar ndërsa i dyshuari kryesor për këtë çështje ishte Labinot Gruda, në atë kohë me pozitë në Ministrinë e Financave si menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës.

Portali ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Labinot Grudës e Kadri Shalës.

Në aktakuzë përshkruhet në detaje se si është kryer transferi i 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë, për të cilën Prokuroria Speciale e ka ngarkuar Labinot Grudën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, hyrje në sistem kompjuterik, vjedhje të identitetit dhe pajisje e qasjes ndërsa Kadri Shala akuzohet për veprën penale të ndihmës të lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.