Anëtari i Lëvizja Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar me një shkrim kritik ndaj ish-qeverisjes së Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke e marrë si shembull projektin e kanalizimit në Zajaz.
Fazliu shkruan se ky projekt, sipas tij, është një simbol i mënyrës së qeverisjes së BDI-së gjatë dy dekadave në pushtet, duke pretenduar se në dokumente figuron si i përfunduar, ndërsa në terren nuk është realizuar.
“Kurë nuk ma kishte marrë mendja se simbolika më e fuqishme e politikës së BDI-së gjatë 20 viteve në qeverisje do të shpjegohej me kanalizimin e Zajazit. Në letra rezulton i përfunduar. Në raporte rezulton i realizuar. Në terren nuk gjendet askund”, ka shkruar Fazliu.
Ai ka akuzuar ish-pushtetin për, siç shprehet ai, projekte të shpallura si të realizuara, por që sipas tij kanë lënë pas zhgënjim te qytetarët.
Në postimin e tij, Fazliu ka ironizuar edhe protestat e fundit politike, duke sugjeruar që një protestë e radhës të mbahet në Zajaz me moton: “Ku është kanalizimi, o taj?”.
Reagimi i tij vjen në kohën kur përplasjet politike mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë intensifikuar, me akuza të ndërsjella për punën e bërë gjatë periudhave të qeverisjes.

sqShqip