Borisov: Që Bullgaria ta mbështesë Maqedoninë, minoriteti bullgar duhet të përfshihet në Kushtetutë
Që Maqedonia e Veriut të ketë mbështetjen tonë, pakica bullgare duhet të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë, tha ish-kryeministri bullgar dhe lideri i GERB-it, Bojko Borisov, në një takim me përfaqësues të organizatave bullgare në Maqedoni.
“Maqedonia e Veriut nuk ka mik më të ngushtë se Bullgarinë. Duhet të gjejmë mënyrë për të përmirësuar marrëdhënien tonë. E gjithë bota demokratike qesh me diplomacinë tonë të keqe. Për ne është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE”, shtoi Borisov.
Borisov thotë se është i bindur që problemet mes dy vendeve nuk janë të pazgjidhshme, përderisa ka vullnet nga të dyja palët dhe i porositi përfaqësuesit e organizatave bullgare në Maqedoni se ato janë ura e miqësisë.
Përfaqësuesit e organizatave bullgare kërkuan nga Borisovi zgjidhjen e çështjeve të të drejtave të njeriut dhe thonë se kanë të drejtë të jenë pro-bullgarë, por theksojnë se në Maqedoni trajtohen sikur të mos ekzistojnë.
Në takim, Borisov iu referua edhe situatës aktuale politike në Bullgari dhe tha se vendi, për shkak të politikës së presidentit Rumen Radev, tani është në izolim.
“Bullgaria tërheq gjysmë miliardë në javë – ato janë vetëm borxhe! Ne ishim shembull në Ballkan. Tani spitalet tona janë të mbingarkuara – ndodhi çdo gjë e keqe që mund të ndodhë”, tha ish-kryeministri bullgar.
Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.
Përndryshe, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.