Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ e konsideron të papranueshëm trajtimin ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar të VLEN në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, si dhe deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, të cilët janë mbajtur për më shumë se një orë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, pa asnjë shpjegim zyrtar dhe pa asnjë bazë të bërë publike nga autoritetet shqiptare.
Kërkojmë nga Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse të japin menjëherë një sqarim publik dhe të plotë mbi arsyet e këtij ndalimi. Heshtja institucionale në një rast të tillë është e papranueshme dhe vetëm sa shton dyshimet mbi motivet e këtij veprimi.
Është e papranueshme që përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të përballen me trajtime denigruese dhe procedura arbitrare në kufirin e Republikës së Shqipërisë. Deputetët gëzojnë dinjitet institucional dhe trajtimi ndaj tyre duhet të jetë në përputhje me standardet demokratike dhe respektin që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.
I bëjmë thirrje institucioneve shqiptare të marrin përgjegjësi, të sqarojnë pa vonesë këtë ngjarje dhe të garantojnë se raste të tilla nuk do të përsëriten më. Çdo veprim i pajustifikuar që cenon përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dëmton besimin reciprok dhe cenon marrëdhëniet vëllazërore mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Kurrsesi paranojat e pushtetit të Edi Ramës nuk mund të kthehen në kufij që ndajnë shqiptarët si pushtuesi dikur.
Çdo vonesë në sqarimin e kësaj ngjarjeje përbën një përgjegjësi të drejtpërdrejtë institucionale. Respektimi i dinjitetit të përfaqësuesve të zgjedhur nuk është çështje protokolli, por detyrim ligjor, institucional dhe kombëtar.

