Pas ndalesës që iu bë zyrtarëve të lartë të VLEN-it, nga ana e autoriteteve të Shqipërisë, kanë vijuar reagimet nga analistë dhe gazetarë të Shqipërisë.
Një ndër ta është edhe Ermal Peçi, sipas të cilit, ky veprim është një çështje që prek transparencën e institucioneve shqiptare dhe mënyrën se si Tirana e koncepton diplomacinë me shqiptarët në rajon dhe standardet me të cilat trajtohen përfaqësuesit e tyre.
“Në një shtet demokratik, çdo kufizim i lëvizjes së një deputeti apo zyrtari të lartë duhet të mbështetet në një bazë të qartë ligjore dhe të shoqërohet me një shpjegim publik. Kur një shpjegim i tillë mungon, lind e drejta për të ngritur pyetje dhe për të kërkuar llogari nga institucionet”, thekson Peçi.
Sipas tij, kjo ngjarje ka edhe një dimension rajonal, sepse siç thekson “Shqipëria dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë ndërtuar ndër vite një marrëdhënie të veçantë politike, kulturore dhe kombëtare”.
Për këtë arsye, shton ai, çdo incident që përfshin përfaqësues politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut kërkon kujdes maksimal, sepse perceptimi publik shpesh ka po aq peshë sa edhe vetë fakti.
“Bekim Qoku, deputet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it, Adnan Azizi, deputet i VLEN-it dhe ish-shef i shtabit zgjedhor të këtij koalicioni, si dhe Hasim Murtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nuk janë qytetarë të zakonshëm. Ata janë përfaqësues institucionalë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Pikërisht për këtë arsye, fakti që, sipas raportimeve në media, u mbajtën për më shumë se një orë në kufirin shqiptar ndërsa udhëtonin me pasaporta diplomatike, kërkon një shpjegim të qartë nga institucionet shqiptare”, thekson Peçi.
Ai ngre edhe një pyetje më të madhe se a po funksionon diplomacia shqiptare me të njëjtin standard për të gjithë shqiptarët, apo marrëdhëniet politike po ndikojnë në mënyrën se si trajtohen përfaqësues të caktuar?
“Prej kohësh nuk është sekret se marrëdhëniet mes Tiranës zyrtare dhe drejtuesve të VLEN-it, kanë qenë të ftohta. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e një shpjegimi zyrtar vetëm sa ushqen perceptimin se diplomacia shqiptare po udhëhiqet më shumë nga preferencat politike sesa nga përgjegjësia shtetërore”, thekson mes tjerash Peçi.

