Alternativa nuk e përkrah Bilall Kasamin dhe Blerim Sejdiun
Alternativa e Afrim Gashit zyrtarisht është shprehur se cilët kandidat do ti përkrah në raundin e dytë. Siç thuhet në kumtesën e tyre Alternativa do të përkrah vetëm kandidatët e ASH-AAA e jo kandidatët e BESËS, Bilall Kasamin dhe Blerim Sejdiun, përcjell TS.
“Në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë Qendrore të koalicionit Alternativës, pos tjerash, u diskutua edhe për temën e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Me këtë rast AlternAtiVA edhe njëherë shpreh mbështetjen plotë të kandidatëve të koalicionit AAA&ASH në komunat e Strugës, Dibrës, Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës, Tearcës dhe Çairit dhe bën thirrje për mobilizim të të gjitha energjive dhe fuqive për ta sjellë ndryshimin e shumëpritur edhe në vendbanimet tona.
Përveç kësaj, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Alternativës u diskutua edhe për qëndrimin ndaj garës ku koalicioni AAA&ASH nuk garon me kandidatë në raundin e dytë. Duke parë se të gjithë ata janë kandidatë të partive në pushtet, ndërsa AlternAtivA është parti opozitare, Kryesia Qendrore vendosi që Alternativa të mbetet konsistente në përfaqësimin e zërit opozitar, andaj nuk do të bëjë thirrje për ta mbështetur ndonjë kandidat të caktuar në ndonjë komunë të tilla. Thirrja e Alternativës është që secili votues me ndërgjegjen e tij dhe konform interesave të tij lokale të vendosë se cilin kandidat duhet ta votojë, ndërsa votuesi i Alternativës gjithnjë i ka parasysh edhe përcaktimet programore të partisë”
AlternAtivA u dëshiron garë të suksesshme të gjitha partive që garojnë në zgjedhje, ndërsa mbetet e përkushtuar në fitoren e koalicionit AAA&ASH” thuhet në kumtesën e Alternativës.