Feriz Dervishi për Shaip Saliun: Bukuria e vdekjes sate qëndron në veprën që ke lënë pas
Post mortum:
BUKURIA E VDEKJES SATE QËNDRON NË VEPRËN QË KE LËNË PAS
Feriz Dervishi
Dje (25.03.2021) mora lajmin e hidhur për vdekjen e mikut tim të shtrenjtë, veteranit të arsimit Shaip Saliut. Është vështirë për mua sot të formuloj një tekst, kur në shpirt kam një dhembje të madhe për TY i nderuari Shaip Saliu. Por me këtë rast është e pamundur që të mos i them disa fjalë.
Shaip Saliu ishte dhe mbeti një dritë e fuqishme që la gjurmë të thella në arsimin shqip në Kumanovë dhe në mbarë Maqedoninë. E kishte zgjedhur arsimin si profesion, sepse ishte vizionar. E dinte se jeta pa arsim është si qielli pa diell. E dinte mirë se ndihma më e madhe që do t’i jepte kombit ishte që t’i jepte diturinë. E donte punën dhe disiplinën në punë, sepse ishte patriot. Ishte patriot me vepër e jo me fjalë. Ishte thellë i bindur se shqiptarët në Kumanovë e Maqedoni e meritojnë një arsim të mirëfilltë dhe se vetëm një arsim i tillë do të nxiste zhvillimin e pëparimin e tyre. Jetën e vet e kaloi me ditar në dorë dhe në shpirt mbante të ndezur dritën e diturisë. Dhe kudo që shkonte drita e tij mbetej e pashuar, vazhdonte të bënte dritë. Ishte edhe drejtor i shkollës,,Bajram Shabani” në Kumanovë. Nën drejtimin e tij kjo shkollë arriti rezultate të shkëlqyeshme. Ai me dritën e arsimit dhe të përgjegjësisë në shpirt ecte. Ecte, sepse ecja e tij duhej të bënte dritë. U kujdes për gjuhën shqipe, sepse gjuhës shqipe i duhej një pëkujdesje. U kujdes sepse ishte i bindur se armiku më i rrezikshëm për nëpërkëmbjen e gjuhës mund të jemi vet ne, shqiptarët. Dhe kishte shumë të drejtë. Ishte i patolerueshëm kur ishte në pyetje gjuha. Nuk toleronte që gjuha të flitej dhe të shkruhej me gabime. Punonte shumë, por edhe punë kërkonte. E donte disiplinën në punë dhe mundohej që këtë shprehi ta pëcillte te kolegët e vet edhe te rinia.Të jesh i disiplinuar në punë (arsim) dhe të kërkosh disiplinë edhe nga të tjerët, kjo është vepër patriotike. Ky shkrim Post mortum nuk mund të përfshijë veprën tënde të madhe, por vetëm përmendëm disa aspekte të saj. Do të jemi mirënjohës për jetë për veprën tënde të madhe në fushën e arsimit e të kulturës. I respektuar do të mbetesh ti dhe vepra jote te gjenerata jote dhe te gjeneratat e reja.
E pavdekshme do të jetë vepra jote! I përjetshëm do të jetë kujtimi për TY. Prehu në paqe miku im Shaip Saliu!
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Saliu, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe që ndiejnë dhembje për të.