Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka bërë të ditur se borxhi i komunës është ulur për 220 mijë euro brenda pak muajsh nga marrja e mandatit.
Sipas Memishit, administrata aktuale e ka trashëguar komunën me një borxh prej afro 1.8 milionë eurosh, ndërsa paralelisht me realizimin e projekteve ka arritur të zvogëlojë detyrimet financiare.
“Komunën e Tearcës e trashëguam me gati 1.8 milionë euro borxh. Për vetëm disa muaj, ndërsa po çojmë përpara shumë projekte, arritëm ta ulim edhe borxhin e komunës. Sot borxhi është ulur për 220.000 euro nga ajo që trashëguam”, ka shkruar Memishi.
Ai ka theksuar se puna e komunës do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke e përmbyllur njoftimin me mesazhin: “Vazhdojmë”.

