Ali Ahmeti me familjen e tij po i shet pasuri bankës së regjimit të Aleksandar Vuçiqit, zbuloi sot Bilall Kasami, duke prezantuar edhe dokumente që e dëshmojnë këtë skandal.

Sipas dëshmive të prezantuara, kompania e mikut të Ali Ahmetit, pra babait të gruas së djalit të tij, me kompaninë e tij “AS Senjak” nga Kërçova, mijëra aksione të Stopanska Banka – Manastir ia ka shitur bankës serbe Alta Banka.

“Këto aksione në pronësi të familjes së Ali Ahmetit janë shitur pikërisht te Alta Banka nga Beogradi, në pronësi të Davor Macura – një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe bankë e lidhur drejtpërdrejt me regjimin serb të Aleksandar Vuçiqit”, deklaroi Kasami.

Ky transaksion, që paraqet aferën më të madhe politiko-financiare që e lidh liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, me regjimin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi, sipas Kasamit, ka ndodhur më 17 shtator të këtij viti, pra vetëm 10 ditë më parë.

“Ali Ahmeti, premtonte themelimin e një banke shqiptare, por na e solli bankën serbe. Erdhi koha shqiptarët të mësojnë se çfarë njerëzish e udhëheqin BDI-në dhe çfarë njerëzish kanë udhëhequr shtetin këto 20 vite. Erdhi koha të mësojnë se pas vellos së patriotizmit të BDI-së fshihen vetëm para, krim dhe Bota Serbe. Ali Ahmeti është personalisht përgjegjës për futjen e “Botës Serbe” të Aleksandar Vuçiqit në Maqedoni. Ali Ahmeti është personalisht përgjegjës për futjen e bankave serbe në Maqedoni”, tha Kasami.

Kasami paralajmëroi se kjo është vetëm një pjesë e vogël e gjithë aferës dhe lidhjes së Ali Ahmetit me të gjitha strukturat antishqiptare në rajon, dhe se në vazhdim do të dalin edhe prova të tjera.

sqShqip