Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend, Nicole Varnes.
“Sot pata kënaqësinë të takoj Ushtruesen e Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Sh.S. znj. Nicole Varnes. Gjatë takimit zhvilluam një bisedë të hapur dhe konstruktive për çështje me interes të përbashkët, me theks të veçantë mbi sundimin e ligjit, rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira ndëretnike, si dhe zhvillimet aktuale që lidhen me paqen dhe stabilitetin global”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj vlerave demokratike, integrimit euroatlantik dhe perspektivës së vendit, duke vlerësuar se partneriteti mes dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët.(INA)

