Ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, ka reaguar publikisht ndaj akuzave të bëra nga koalicioni VLEN, i cili në një konferencë për media pretendoi se ai ka ushtruar ndikim në një procedurë tenderuese që lidhet me furnizimin e gardheve mbrojtëse.
Në një demant publik, Rustemi i cilëson këto pretendime si “tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe pa asnjë mbështetje faktike apo dokumentare”, duke theksuar se gjatë periudhës kur ka drejtuar Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse.
“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar. E vërteta është se gjatë periudhës sa kam ushtruar funksionin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse nga kjo ndërmarrje”, thuhet në reagimin e Rustemit.
Ai thekson se, për pasojë, nuk ka ekzistuar asnjë procedurë ku mund të ishte favorizuar apo diskriminuar ndonjë kompani.
“Për rrjedhojë, nuk ka ekzistuar asnjë tender në kuadër të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore ku mund të jetë favorizuar, përjashtuar apo diskriminuar ndonjë kompani. Kur nuk ka pasur procedurë tenderuese nën kompetencën e institucionit që kam drejtuar, nuk mund të ketë as ndikim, as presion dhe as përgjegjësi nga ana ime”, thekson ai.

