Tre subjekte politike shqiptare bashkohen në Mal të Zi, shpallet zyrtarisht Forumi Shqiptar në Tuz
Në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit u shpall zyrtarisht këtë të shtunë, 30 maj, bashkimi i tre subjekteve politike shqiptare në një subjekt të vetëm, Forumi Shqiptar, një lëvizje që u prezantua si nisja e një kapitulli të ri politik për shqiptarët në Mal të Zi.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, së bashku me aleatët e tij politikë, të cilët prezantuan projektin e ri politik dhe objektivat e këtij bashkimi.

Përfaqësuesit e Forumit Shqiptar e cilësuan këtë si një marrëveshje historike, duke theksuar se ua kishin borxh brezave të ardhshëm këtë bashkim politik.

Sipas tyre, bashkëpunimi i deritanishëm në formën e koalicionit ka funksionuar shkëlqyeshëm, duke sjellë forcim të përfaqësimit shqiptar si në qeverinë e Malit të Zi, ashtu edhe në nivelet drejtuese dhe vendimmarrëse.

“Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë. Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi”, u shpreh Gjeloshaj.

“Megjithatë, kemi parë nevojën që të shkojmë një hap më tej dhe të ndërtojmë një subjekt të vetëm politik, jo vetëm për sot, por edhe për gjeneratat e ardhshme, si një garanci për unitetin shqiptar. Ky është subjekti i vetëm politik shqiptar në Mal të Zi që përfaqëson shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetojnë, pasi ne jemi të pranishëm në disa komuna dhe jemi adresa e parë politike e shqiptarëve”, shtoi ai.

“Përgjegjësia jonë politike dhe vullneti i drejtuesve ishte që të krijonim një subjekt të fortë politik shqiptar për të ardhmen, në mënyrë që shqiptarët në Mal të Zi të përfaqësohen edhe më mirë“, vazhdoi Gjeloshaj.

sqShqip