Maqedoni

Drejtori i Institutit për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut nga SHBA David L. Phillips e vizitoi Universitetin e Tetovës

David L. Phillips, drejtori i Institutit për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Kolumbia në SHBA, e vizitoi Universitetin e Tetovës dhe u prit nga udhëheqësja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në kuadër të UT-së, Mr. Sc. Donika Kamberi.

Qëllimi i vizitës ishte diskutimi i mundësive të bashkëpunimit midis dy institucioneve që palët përfaqësojnë, gjegjësisht midis Institutit për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut dhe Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor. Në vazhdën e bisedës ata diskutuan rreth modaliteteve të bashkëpunimit në sferën e zgjedhjes së konflikteve dhe dialogut, bashkëpunim i cili pritet të materializohet së shpejti.
Sipas udhëheqëses së Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, “Vizita e Phillips është e një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh kontributin e tij në çështjen shqiptare për më tepër se tri dekada. Ai gjithmonë do të ngelet adresa ku do t’i gjejmë faktet, rrëfimet dhe historitë e popullit tonë të para nga syri i një intelektuali që me pasion të pashterur angazhohet për shqiptarët. Prezenca e tij na përkujton lidhjen e fortë dhe orientimin e palëkundur që kemi me aleatët tanë historikë SHBA-të. Jam e lumtur për këtë miqësi”, theksoi Mr. Sc. Donika Kamberi.

Si një nga laureatët e këtij Universiteti, David L. Phillips i vlerësoi lart të arriturat e Universitetit të Tetovës dhe ngeli i impresionuar me rezultatet e arritura. Përpos fjalëve pozitive kjo vizitë u përmbyll me disa fotografi te lapidari “Flakadani i Kujtesës” dhe shtatorja e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.