Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka zhvilluar një vizitë në komunën e Bogovina, ku së bashku me kryetarin e komunës, Feti Abazi, kanë takuar përfaqësues të kompanive prodhuese lokale.

Gjatë vizitës, Durmishi theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me bizneset, duke nënvizuar se institucionet duhet të jenë të pranishme në terren për të kuptuar sfidat reale të sektorit privat.

“I dëgjova sfidat dhe pritshmëritë e bizneseve dhe i njoftova për thirrjen e hapur të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për përkrahjen e kompanive nëpërmjet ndihmës direkte të parashikuar me Ligjin për Mbështetjen e Investimeve”, deklaroi Durmishi.

Ai bëri të ditur se përmes këtij ligji synohet të nxitet zhvillimi ekonomik përmes mbështetjes konkrete për investimet në prodhim dhe punësim.

" "

“Me këtë ligj, mbështesim financiarisht kompanitë që investojnë në rritjen e prodhimit, zgjerimin e kapaciteteve dhe rritjen e punësimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë”, u shpreh ministri.

Durmishi theksoi se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë biznesit dhe të punojnë në partneritet për përmirësimin e klimës ekonomike në vend.

“Do të vazhdojmë të jemi afër bizneseve dhe të punojmë bashkë për një ekonomi më të fuqishme dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit”, përfundoi ai.

sqShqip