Etem Xheladini

Në këtë vit të madh jubilar, SHFK “Naim Frashëri”, e njohur deri në vitin 1992 me emrin “Vëllazërimi”, kremton 50 vite rrugëtim të lavdishëm në shërbim të arsimit, dijes dhe çështjes kombëtare shqiptare në Kumanovë. Sot, pas pesë dekadash sakrifice, përkushtimi dhe suksesi, kjo vatër e shenjtë e arsimit numëron mbi 108 të punësuar dhe më shumë se 1150 nxënës, duke u renditur ndër institucionet më të rëndësishme edukativo-arsimore në vend. Me kushte moderne dhe një staf të përkushtuar profesionalisht e njerëzisht, shkolla vazhdon të mbetet tempull i dijes dhe i formimit të brezave të rinj.
Por historia e kësaj shkolle nuk është vetëm histori arsimi, është histori qëndrese, guximi dhe identiteti kombëtar. Është obligim moral dhe njerëzor që në këtë jubile të artë të kujtohen me respekt të gjithë drejtuesit dhe pedagogët që nga themelimi e deri më sot, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm ndërtuan themelet e kësaj vatre arsimore dhe krijuan kushte dinjitoze për edukimin e mijëra nxënësve.Në vitet e vështira të dekadës së tetëdhjetë, konkretisht më 1987/88, kjo shkollë u shpall “qendër e nacionalizmit shqiptar” nga pushteti shovinist i kohës, vetëm pse kolektivi i saj u vu fuqishëm në mbrojtje të arsimit shqip dhe të drejtës elementare për dije në gjuhën amtare. Ishte një periudhë sfidash të mëdha, por edhe krenarie të pashlyeshme.
Pikërisht nga kjo vatër arsimore lindën iniciativa dhe projekte madhore për arsimin fillor, të mesëm dhe universitar në Kumanovë dhe më gjerë.
Më 7 tetor 1991, në ambientet e kësaj shkolle, u rihapën paralelet e gjimnazit në gjuhën shqipe, pa pëlqimin e pushtetit të atëhershëm, i cili në mënyrë të dhunshme kishte mbyllur të gjitha paralelet shqipe në shkollat e mesme gjatë viteve 1987/88. Ky ishte një akt historik i rezistencës arsimore dhe kombëtare. Po nga kjo vatër, në vitin 2007, lindi iniciativa për hapjen e Fakultetit “AB” në Kumanovë, i cili u inaugurua më 22 Nëntor 2008, duke shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në avancimin e arsimit shqip në këtë trevë.
Në rrugëtimin e saj pesëdhjetëvjeçar, SHFK “Naim Frashëri” ka qenë djep i shumë lëvizjeve kombëtare dhe intelektuale. Meritë të veçantë për unitetin, qëndresën dhe mosnënshtrimin ndaj padrejtësive të kohës kanë dhënë të gjithë të punësuarit, secili nga pozita dhe kontributi i vet, por edhe drejtuesit që udhëhoqën shkollën ndër vite: Feta Arifi, Zija Azizi, Etem Xheladini,, Ismail Xheladini, Lije Ademi, Esat Islami, Zijadin Ismaili, Elmi Rexhepi,Ibrahim Ajdini, dhe drejtori aktual Muhamet Zeqiri.
Sot, kjo shkollë krenohet me mijëra ish-nxënës që kanë lënë gjurmë në arsim, shkencë, kulturë, institucione shtetërore, menaxhim dhe politikë. Emra të njohur që dëshmojnë se SHFK “Naim Frashëri” nuk ka qenë vetëm një shkollë, por një akademi e dijes, identitetit dhe suksesit shqiptar.
Urime 50-vjetori i kësaj vatre të lavdishme! Lavdi të gjithë atyre që ndërtuan dhe mbrojtën arsimin shqip ndër breza!

sqShqip