Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi tekstin e ri të harmonizuar të Propozim-ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, i cili do t’i dërgohet Kuvendit për procedurë të mëtejshme.

Me këtë po fillojmë një fazë të re, më serioze dhe vendimtare në luftën kundër organizimit ilegal të lojërave të fatit, reklamimit agresiv dhe keqpërdorimeve që për vite me radhë kanë shkaktuar dëm ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj të rinjve, fëmijëve dhe familjeve.

Fokusi i këtij ligji është i qartë. Mbrojtja e fëmijëve, brezave të rinj dhe familjeve.

Për herë të parë vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit. Ndalohet reklamimi jashtë hapësirave afariste nëse ai ka për qëllim nxitjen e qytetarëve për të marrë pjesë në lojëra të fatit. Ndalohet përdorimi i mesazheve që bixhozin e paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo si zgjidhje për problemet personale dhe sociale.

Po ashtu, ndalohet reklamimi përmes personazheve publike dhe përmbajtjeve të orientuara drejt të miturve. Po dërgojmë një mesazh të qartë se bixhozi nuk guxon të normalizohet dhe as të paraqitet si stil jetese para të rinjve.

Pika e dytë kyçe është mbrojtja e procesit arsimor dhe sigurisë së nxënësve.

Me ligjin parashihet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra të fatit, në kazinot, klubet e automatëve dhe lojërat elektronike të fatit, të jenë të vendosura së paku 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.

Në bastoret që ndodhen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga shkollat nuk do të lejohet vendosja e terminaleve elektronike video-lotari dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit.

Ky është vendim institucional për t’i mbrojtur fëmijët nga ekspozimi i përditshëm ndaj bixhozit dhe varësive.

Paralelisht, institucionet tashmë po ndërmarrin masa konkrete kundër bixhozit ilegal online.

Deri më tani janë mbyllur 358 platforma ilegale të huaja online që kanë organizuar në mënyrë të paligjshme lojëra të fatit në territorin e shtetit. Bëhet fjalë për platforma që kanë funksionuar pa licencë, pa kontroll dhe pa asnjë mbrojtje për qytetarët.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të organizatorëve ilegalë për të hapur kanale dhe faqe të reja interneti, institucionet do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara dhe masa përkatëse ligjore.

Kjo Qeveri që nga dita e parë ka nisur një betejë sistematike kundër industrisë që për vite të tëra është zgjeruar pa kontroll.

Qëllimi ynë është i qartë. Vendosja e një sistemi të përgjegjshëm, transparent dhe të kontrolluar, me rregulla të qarta, siguri juridike dhe mbrojtje shumë më të madhe për qytetarët.

Kjo është betejë për të ardhmen e të rinjve, për sigurinë e familjeve dhe për dinjitetin e shoqërisë.

sqShqip