Ajaz Emini, atdhetari kumanovar që gjatë luftës mbante veshur dy uniformat më të lavdishme, atë të ushtrisë amerikane dhe atë të UÇK-së, mbetet një zë i fuqishëm i çështjes shqiptare në SHBA.
Si anëtar i bordit të Asociacionit Shqiptaro-Amerikan në Cleveland, Ohio, Emini këtyre ditëve ka arritur të marrë një përgjigje zyrtare dhe tejet domethënëse drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, përcjell INA.
Në letrën e tij të dërguar më 4 nëntor 2025, Emini i kërkoi zyrtarisht Presidentit të SHBA-së një angazhim të ri për Kosovën, duke specifikuar katër kërkesa kyçe: bindjen e Serbisë për njohjen e kufijve aktualë, lobimin te pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, nënshkrimin e një traktati formal paqeje dhe forcimin e ekonomisë përmes investimeve direkte amerikane.
Presidenti amerikan i është përgjigjur kësaj thirrjeje më 20 prill 2026, përmes një letre ku zbardhet vizioni i tij për “paqen përmes forcës”. Në përgjigjen e tij, kreu i shtetit amerikan thekson se administrata po punon për të rikthyer gatishmërinë ushtarake dhe besueshmërinë e Amerikës në çdo nivel, duke siguruar që asnjë komb të mos guxojë të kërcënojë interesat apo aleatët e SHBA-së.
Sipas letrës presidenciale, fuqia e Amerikës mbetet parandaluesi më i mirë i konflikteve, pasi kombet që respektojnë këtë forcë janë më të gatshme për dialog dhe paqe. Ky shkëmbim letrash mes Shtëpisë së Bardhë dhe aktivistit Ajaz Emini konfirmon se diaspora shqiptare mbetet një urë e pathyeshme dhe një faktor vendimtar në korridoret e pushtetit në Washington, duke mbajtur Kosovën në agjendën kryesore të aleatit tonë strategjik.(INA)

