Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka akuzuar ashpër Qeverinë për reagim të vonuar dhe fshehje të qëllimshme të të dhënave pas zjarrit që shpërtheu në zonën e Trubarevës. Sipas tij, mungesa e transparencës dhe masave emergjente ka sjellë pasoja serioze për shëndetin e banorëve lokalë dhe të zonave përreth.
Filipçe deklaroi se autoritetet mashtruan opinionin publik duke pretenduar se ajri nuk ishte i ndotur, ndërsa të dhënat zyrtare, të publikuara pas gjashtë ditësh, tregojnë nivele alarmante të ndotjes.
“Qeveria gënjeu kur tha se ajri në Trubarevë nuk është i ndotur, reagoi me vonesë dhe nuk mori asnjë masë urgjente për të mbrojtur qytetarët – përfshirë edhe evakuimin. Me këto gënjeshtra, është drejtpërdrejt përgjegjëse për helmimin e njerëzve në Trubarevë dhe përreth,” u shpreh Filipçe.
Sipas tij, matjet e kryera tregojnë një përqendrim 12 herë mbi normën e lejuar të kadmiumit në ajër – konkretisht 59.1 nanogramë për metër kub (ng/m³), ndërkohë që kufiri i lejuar ligjor është vetëm 5 ng/m³.
Kërkesa për dorëheqje dhe hetim penal
Në deklaratën e tij, Filipçe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë:
Ministrit të Punëve të Brendshme
Ministrit të Shëndetësisë
Drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov
Ai gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të nisë menjëherë një hetim penal për, siç tha ai, rrezikimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve përmes mosveprimit dhe neglizhencës institucionale. “Kërkoj që Prokuroria të hapë urgjentisht hetim dhe të mbajnë përgjegjësi penale të gjithë zyrtarët që, përmes mosveprimit të tyre, kanë rrezikuar qytetarët,” theksoi Filipçe.