Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendësministrin Jovica Andovski, përshëndetën të pranishmit në hapjen e Shkollës së 27-të Sindikale të Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale.

“Në kohë rekorde kemi realizuar mbi 1.250 punësime në 85 institucione publike shëndetësore në gjithë vendin, si pjesë e procesit strategjik për forcimin e kuadrit në sistemin shëndetësor. Paralelisht po zbatojmë edhe procesin e punësimit të specialistëve privatë, me të cilin po zgjidhim një problem ekzistencial disa-dekadësh të kësaj kategorie punëtorësh shëndetësorë. Sindikata e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale është partneri ynë me të cilin me përpjekje të përbashkëta po punojmë për përmirësimin e statusit të çdo punëtori shëndetësor në vend,” tha ministri Aliu.

Ai gjithashtu theksoi se qeveria ka realizuar një rritje të rëndësishme të pagave të punëtorëve shëndetësorë – me 4.815 denarë neto për të gjithë punonjësit shëndetësorë, ndërsa për infermierët kjo rritje arrin deri në 6.200 denarë. Sipas tij, kjo masë paraqet vlerësim thelbësor të punës së personelit mjekësor.

Ndërkaq, zëvendësministri Andovski theksoi gatishmërinë për bashkëpunim:

“E respektojmë dinjitetin e mjekëve dhe gjithë personelit që janë kujdestarë të shëndetit të qytetarëve. Ministria e Shëndetësisë është e hapur për bashkëpunim me sindikatën dhe së bashku do të vazhdojmë të zgjidhim të gjitha çështjet dhe sfidat e hapura, me qëllim që t’u dalim në ndihmë punëtorëve shëndetësorë dhe, sigurisht, pacientëve,” tha ai në fjalimin e tij.

sqShqip