Kryeministri Albin Kurti ka pranuar se do t’i jap nënshkrimet edhe për Vjosa Osmanin, në rast se LDK-ja e propozon për presidente.

Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës, Kurti i ka bërë thirrje Lumir Abdixhikut që t’i sjellë nënshkrimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në mënyrë që të zgjidhet presidenti.

Ai tha se Hatixhe Hoxha do të tërhiqet nga kandidatura në rast se LDK propozon një emër për president.

“Në këtë situatë unë shumë jam përballur me pyetjet e juaja lidhur me listën e LDK-së me 15 nënshkrime. Pasi që përfundoi edhe ky vazhdim i një seance, unë kam komunikuar me kandidaten, Hatixhe Hoxha dhe kam biseduar me të dhe ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura, nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për kandidatin kushdo që është. Me atë rast LVV i plotëson me 15 të tjera. Sonte le ta zgjedhim presidentin ose presidenten e re të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Në pyetjen se a do ta pranonte propozimin për Osmanin, Kurti i përgjigj me “Po”.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të garantojë votat e deputetëve në kuti, por tha se do t’i japë LDK-së sa nënshkrime t’i nevojiten për propozimin e kandidatit për president.

“Ne fare nuk e kemi problem kë e sjell LDK-ja si kandidat. Asnjë problem nuk kemi ne me asnjë kandidat që na sjell LDK-ja, vetëm le të na sjellin 15 nënshkrimet. Në kuti votimi është i fshehtë. Nuk jam unë kurrfarë personi që shkikon edhe brenda kutive. Unë nuk e kam ditur mbrëmë sa vota do t’I ketë mbrëmë Feride Rushiti”, ka thënë Kurti.

sqShqip