Kryeparlamentarja e Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se nga ora 20:30 është ftuar seanca e jashtëzakonshme për zgjedhje të presidentit.
Haxhiu në postim në Facebook ka shkruar se janë propozuar Feride Rushiti e Hatixhe Hoxha si kandidate për presidente.
Rushiti është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës.
Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ishin nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Hatixhe Hoxha është doktorante në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje nga viti 2010. Ishte dy mandate deputete.
“I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese”, ka njoftuar Haxhiu.
Çitaku: Në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në 20:30, kaq seriozë janë
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka thënë se është joserioze mënyra se si është thirrur seanca për zgjedhjen e presidentit.
Çitaku në postim në Facebook ka thënë se ftesën e ka pranuar në ora 20:26 për seancën e paraparë të mbahet në 20:30. Seanca për zgjedhje të presidentit ende s’ka nisur.
“Pra, në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në ora 20:30. Kaq serioz janë këta për të zgjedhur Presidentin”, ka shkruar Çitaku.

