Akademiku Rexhep Qosja ka vdekur të enjten (sot) në moshën 89-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij.
Familjarët kanë njoftuar po ashtu se ka përfunduar edhe ceremonia e varrimit. Ata kanë theksuar se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizojnë pritje familjare e as nuk do të marrin pjesë as në ceremonitë institucionale.
“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në njoftim.
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të tij.
Kush ishte Rexhep Qosja?
Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti, akademik. Lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci.
Në Prishtinë e kreu Shkollën Normale, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më 1967 filloi punë si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa më 1968-69 kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.
Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit u ngrit në bashkëpunëtor të lartë dhe më pas në këshilltar shkencor në këtë institut, si dhe u zgjodh profesor inordinar dhe më pas profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Në periudhën 1972-1981 ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik, pastaj shef disa vjeçar i degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik, si dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Veprat e para i botoi nga fusha e kritikës.
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj.
Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe.
Është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

