Maqedoni

“Jugosllavia më burgosi, BDI më nxori nga puna!”

Nga admin 12.10.2017
Ish gazetari i njohur dhe shkrimtari Qerim Bajrami ka vendosur të garojë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit, si kandidat i PDSH-së për këshilltarë në komunën e Butelit. Ai është i radhitur si kandidat i dytë në listën e këshilltarëve të PDSH-së, me gjasa të mëdha që të përfaqësojë shqiptarët e Butelit në këshillin komunal, sepse gëzon respekt të madh në mesin e tyre.

“Në vitin 1975 gjykata e Kumanovës më dënoi me burg për shkak se publikisht thash që Shqipërinë e kam nënë, kurse Jugosllavinë e kam njerkë. Ishin vite të vështira të pushtetit monist”, rrëfen Bajrami storien e tij jetësore për Gazetën Lajm.

Bashkë me ndryshimet demokratike, atij i është thyer shpresa se do të vijnë ndryshime në të mirën e shqiptarëve, por është dëshpëruar shpejtë. Dëshpërimin tjetër thotë se e ka përjetuar pas vitit 2001. Sllupçani, fshati i tij i lindjes, u dogj gjatë luftës, mirëpo nga lufta përfituan ata që sakrifikuan më së paku.

Gjatë kohë ka bashkëpunuar me mediume të ndryshme në Maqedoni dhe Kosovë, por pa punësim të rregullt. Në vitin 1999 ai është pranuar si gazetar i rregullt në gazetën e përditshme Flaka e Vëllazërimit. Pas mbylljes së kësaj gazete, ai punësohet në kuvend, prej ku përjashtohet në vitin 2009.

“Ata që më spiunuan në vitin 1995 te polica jugosllave e Kumanovës, ata më nxorën edhe nga puna në vitin 2009. Janë të njëjtit njerëz në pushtet por edhe i njëjti mentalitet. Ende po paguaj çmim të lartë për shkak se Jugosllavinë e quajta njerkë. Po ta kisha lavdëruar Jugosllavinë, asnjëherë nuk do të kisha mbetur pa punë”, thotë Bajrami, ndryshe prind i dy vajzave, studente të dalluara. Si i papunësuar që është, ai i shkollon vajzat me shumë mund dhe sakrificë, prandaj ballëlartë e kërkon votën e shqiptarëve të Butelit.

“Kam vizituar shumë familje, kam takuar shumë shqiptarë të Butelit. Prej të gjithëve jam mirëpritur dhe kam besim se do të më japin besimin e tyre, të cilin nuk do ta zhgënjej, por do t’i përfaqësoj me dinjitet interesat e tyre”, thekson Bajrami me optimizëm se më 15 tetor do të përfundojë golgota e tij jetësore, të cilën është i bindur se po e përjeton vetëm për shkak se para 30 e më tepër viteve e shau Jugosllavinë e Titos. (Gazeta Lajm)