Në ambientet e Swiss Ranch, u prezantua publikisht iniciativa “Rrezja e Shpresës – Ray of Hope”, e cila synon ngritjen e qendrës së parë të specializuar për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit (ASD) në komunën e Kërçovës.
Projekti plotëson një boshllëk të madh në ofrimin e shërbimeve të hershme diagnostikuese, terapisë dhe mbështetjes për familjet.
Iniciativa, e zhvilluar nga znj. Rrezelinda Dauti në kuadër të Akademisë për Politika Publike, me mbështetjen e IFES, Ambasadës Zvicerane dhe Institutit të Ohrit, do të ofrojë shërbime falas dhe multidisiplinare: diagnostikim, terapi individuale e në grup, hapësira multisensore dhe këshillim prindëror. Infrastruktura do të ndërtohet sipas standardeve europiane të aksesueshmërisë.
Ngjarja u nderua nga personalitete të shumta, mes tyre: ministri Fatmir Limani, znj. Albulena Demiri-Zendeli, znj. Flutra Ahmedi Kalisi, z. Mazllam Osmani, z. Agim Sadiku, z. Ismet Ballazhi, z. Rexhep Emini, si dhe kandidatë për këshillin komunal.
Investimi fillestar arrin 475 mijë euro, ndërsa shpenzimet vjetore llogariten rreth 31 mijë euro. Projekti parashikon hapjen e vendeve të reja pune për staf multidisiplinar dhe e vendos Kërçovën në hartën e komunave model për përfshirjen sociale.
“Çdo fëmijë meriton ngrohtësi. Le t’i dhurojmë të gjithë nga një rreze, për të krijuar një diell për fëmijët me autizëm”, u shpreh Dauti.