Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës mbajti mbledhje komemorative në nderim të profesorit të ndjerë Prof. Dr. Ramiz Abdyli i cili ishte ndër figurat më të shquara në fushën e arsimit dhe historiografisë shqiptare. Me një karrierë të gjatë dhe të pasur, ai dha kontribut të vyer në procesin arsimor dhe në kërkimin shkencor. Në cilësinë e rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ramiz Abdyli luajti rol të rëndësishëm në avancimin institucional dhe akademik të këtij institucioni.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij të rastit u shpreh se Prof. Dr. Ramiz Abdyli ishte një personalitet i shquar në shumë fusha, veçanërisht në sferën arsimore, por edhe me një kontribut të veçantë në kërkimin shkencor, në menaxhim dhe në të gjitha dimensionet e zhvillimit akademik e shoqëror. “Prof. Dr. Ramiz Abdyli ishte dhe mbetet i veçantë. Puna e tij e palodhur, përkushtimi, sakrifica, guximi dhe veprimtaria e gjithanshme do të jenë gjithmonë një motiv frymëzues për studentët tanë dhe për gjeneratat që do të vijnë. Universiteti i Tetovës ndien dhimbje për humbjen e tij, por mbi të gjitha ndihet krenar që ka pasur një rektor dhe një veprimtar të tillë, i cili me jetën dhe veprën e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Puna dhe përkushtimi i Prof. Dr. Ramiz Abdylit do të mbeten pjesë e misionit dhe vizionit tonë për zhvillimin e gjithanshëm të Universitetit të Tetovës.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se ideali i tij, ashtu si i shumë intelektualëve të shquar shqiptarë, ishte përparimi i kombit dhe zhvillimi i arsimit dhe shoqërisë në të gjitha viset shqiptare. Për këtë kontribut të çmuar, ai do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë dhe e kujtesës sonë kombëtare. “Kontributi i tij ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme në themelimin, konsolidimin dhe funksionimin e universitetit tonë, i cili sot qëndron si dëshmi e përkushtimit dhe sakrificës së brezave të tërë. Me vizionin e tij largpamës, ai hapi rrugë për shumë studiues të rinj, kudo që veproi, veçanërisht për ata që dolën nga Universiteti i Tetovës, duke i mbështetur dhe duke i inkurajuar që të ndjekin rrugën e dijes dhe të kërkimit shkencor. Sot, duke e kujtuar, ne nderojmë një vlerë, një ideal dhe një trashëgimi që na obligon të vazhdojmë rrugën e tij. Vepra dhe angazhimi i tij mbeten një shembull i ndritur dhe një udhërrëfyes i qartë për të gjithë ne, se si një intelektual i vërtetë i shërben kombit me dinjitet, përgjegjësi dhe përkushtim të palëkundur ndaj idealeve madhore.” – tha dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

