Pas dy dekadash pushtet, BDI vazhdon të fshehë më shumë sesa tregon. Ndërsa kryetari Ali Ahmeti i shkruan vetes letra për gjuhën shqipe, ai hesht për faktin që partia e tij ka blerë një objekt pesëkatësh në qendër të Tetovës, me sipërfaqe prej 1200 metrash katrorë. Ky investim i madh ka ngritur dyshime të forta në opinion, sidomos pas raportimit të BIRN se pas vitit 2022 pasuria e partisë është rritur ndjeshëm.
VLEN prej kohësh ka paralajmëruar se pas retorikës për të drejtat e shqiptarëve, BDI fshihet me interesa të ngushta për pasurimin e elitës partiake. Ahmeti, i zënë me “blej-shit”, nuk ka gjetur kohë të zgjidhë sistematikisht çështjet e rëndësishme për shqiptarët, duke lënë trashëgimi akte të gjysmëzgjidhura që sot i paraqet si arritje.
Opinioni kërkon përgjigje të qarta:
A ka qenë ky objekt në pronësi të Telekomit?
A është e vërtetë se prona fillimisht iu transferua një personi të afërt, e më pas u shit tek BDI?
Çfarë lidhje ka kjo pronë me aferën “Maxhar Telekom”?
Kujtojmë se ish-drejtorë të Telekomit në vitin 2017 pranuan para Gjykatës së Nju Jorkut se kishin paguar 5 milionë euro ryshfet politikanëve të koalicionit qeveritar të LSDM dhe BDI në vitin 2007, për të vonuar liberalizimin e sektorit të telekomunikacionit. Në këtë proces u përmendën emrat e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit dhe Abdulahim Kasamit. Nuk ka më hapësirë për viktimizim. Mitet për Ali Ahmetin po rrëzohen si kulla prej letrash. Koha e përgjegjësisë ka ardhur.

