Nuk po pëllet gomari, po fol kryetari
Hamdi Nuhiju
Kryetari i degës, kryetari i shtabit, kryetari i shtabit të nëndegës, kryetari i Forumit Rinor, nënkryetari i kryetarit të Forumit Rinor, shoku i nënkryetarit të kryetarit të Forumit Rinor të partisë së lagjes sot e ka ditëlindjen. Ka vendosur që ta gostisë komplet shtabin me nga një makiato të vogël!
Shoku i shokut të nënkryetarit të kryetarit të nëndegës të Forumit Rinor ka rezultuar pozitiv me kovid 19, i gjithë shtabi janë në gjendje gatishmërie për t`i shprehur shërim sa më të shpejtë prej kësaj sëmundjeje mortaje.
Burri i tezës i shokut të shokut të nënkryetarit të kryetarit të nëndegës të Forumit Rinor të partisë së lagjes është pranuar si pastrues në spital, e gjithë familja në gëzim, po ashtu edhe shtabi ka ndryshuar matematikat, tash në zgjedhje pret plus 50 vota si dhe nga dy gajbe me ujë Rosa për çdo natë të kampanjës zgjedhore.
Halla e madhe e burrit të tezës të shokut të shokut të nënkryetarit të kryetarit të nëndegës të Forumit Rinor të partisë së lagjes, për shpirtin e agës haxhi babës ka vendosur që ta hape një çezme në lagje. Me këtë shkak janë alarmuar të gjitha strukturat e partisë deri te kryetari për të marr pjesë në inaugurimin e çezmës. Janë alarmuar të gjitha lagjet në nivel të republikës për hapjen zyrtare të çezmës. Të gjitha strukturat e partisë janë urdhëruar që të mbajnë mbledhje për t`i koordinuar numrat e autobusëve dhe automjeteve që do të përdoren për të marr pjesë në inaugurim. Të gjithë i lanë lugët e makiatos në kafe dhe u drejtuan me vrap te shtabi. Duhet që në mënyrë sa më masive të marrin pjesë në inaugurimin e çezmës së lagjes.
Kryetari i partisë i cili arriti me 20 minuta vonesë në tubim, para çezmës iu drejtua të pranishmëve:
O ju të dashurit e mi!- Plasën të qeshurat nga fundi i publikut duke i thënë njëri-tjetrit: Prej kur u bëmë ne të dashurit e kryetarit kur ky sa ishte në pushtet as që dëshironte të dëgjoje për neve!
Të dashurit e mi, vazhdoi fjalimin kryetari, ata janë të këqij, ne jemi të mirë, me neve do të keni çezma dhe ujë për pije 24 orë. Për kanalizim dhe ujësjellës të mos flasim. Rrugët do t`ia asfaltojmë deri në oborr. Edhe bari që ju ka ngelur keq në bahçe në këtë periudhë do të organizojmë strukturat e partisë për të ju ardhur në ndihmë.
Ne, do ta sjellim Evropën këtu! Nuk ka nevojë ne të shkojmë në Evropë. Jemi duke punuar ditë e natë që ju të mos e harroni gjuhën shqipe. Sepse ai që e harron gjuhën shqipe nuk ka perspektivë në këtë shtet!
Ne do të punësojmë nga 5 veta prej çdo familje! Uaaa mos gënje, bërtiti dikush nga fundi i skenës!
Hesht- ia ktheu shefi i shtabit dhe vazhdoi me ngritjen e zërit: NUK PO PËLLET GOMARI, PO FOL KRYETARI.