Shkruan: Etem Xheladini

Nuk është më vetëm debat, nuk është më vetëm mendim ndryshe. Ajo që po ndodh sot në hapësirën shqiptare është një krizë e thellë e përgjegjësisë kombëtare.
Kur figura publike si Shkëlzen Gashi dalin me deklarata të pakonfirmuara dhe të pambështetura mbi luftën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dëmi nuk është individual, është kombëtar. Sepse këto fjalë nuk mbeten brenda nesh, ato përdoren jashtë nesh, ato kthehen në armë kundër historisë sonë.
Në Kosovë, në Maqedonia e Veriut, në Mal i Zi, Luginë të Preshëvës dhe në çdo cep ku jeton shqiptari, po ndodh një fenomen i rrezikshëm: relativizimi i sakrificës, barazimi i viktimës me agresorin, dhe sulmi ndaj figurave që ndërtuan themelet e lirisë, arsimit shqip, simboleve kombëtare.
Dhe çfarë bëjnë politikëbërësit?
Heshtin, përçahen e kalkulojnë vota, kjo heshtje nuk është neutralitet, është bashkëfajësi. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke përbaltur të kaluarën. Nuk mund të kërkosh respekt ndërkombëtar duke shkatërruar narrativën tënde kombëtare nga brenda. Nuk mund të flasësh për shtet, ndërsa godet vetë themelet mbi të cilat ai qëndron.
Po, liria e shprehjes është themel i demokracisë, por liria pa përgjegjësi kthehet në dëm publik. Dhe kur fjala prek plagët e një populli, ajo duhet të peshohet me fakte, jo me sensacione. Sot nuk kemi nevojë për zëra që ndajnë, kemi nevojë për lidership që bashkon.
Politikëbërës shqiptarë, kudo që jeni, kuptoni një gjë: kauza kombëtare nuk është pronë partie, as platformë personale, është amanet historik. Nëse nuk mund ta mbroni, të paktën mos e dëmtoni, nëse nuk mund të bashkoheni për të vërtetën, atëherë mos e deformoni atë.
Sepse historia nuk harron, dhe një komb që lejon të përçahet nga brenda, rrezikon të dobësohet nga jashtë, koha për zgjedhje është tani, bashkim ose degradim.

sqShqip