Ka ndërruar jetë profesori dhe aktivisti i njohur nga Shkupi, Hazbi Topojani. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët e të ndjerit, të cilët përmes një njoftimi publik kanë ndarë dhimbjen për humbjen e tij, përcjell gazeta KOHA.
Hazbi Topojani ishte mësimdhënës në shkollat fillore në Komunën e Çairit, ku për vite me radhë kontribuoi në edukimin dhe formimin e shumë gjeneratave të reja. Përveç angazhimit të tij në arsim, ai njihej edhe si një aktivist i dalluar në jetën shoqërore, duke qenë i përfshirë në iniciativa dhe çështje me interes për komunitetin.
Në njoftimin e familjes thuhet: “Sot ka ndërruar jetë vëllau jonë Hazbi Topojani, baba i Ermalit, Urimit dhe Arbit. Allahu të mëshiroftë me mëshirën e madhe të Tij, të pranoftë me butësinë e Tij… Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi.”
Sipas të njëjtit njoftim, ceremonia e faljes së xhenazes do të mbahet në xhaminë e Çairit pas namazit të Ikindisë, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e Butelit.
Letër-ngushëllimi kanë nisur edhe partitë politike në Shkup.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Hazbi Topojanit. Hazbiu ishte mësues i përkushtuar, i cili ia kushtoi jetën edukimit të brezave të rinj në arsimin fillor. Me punën dhe përkushtimin e tij, ai la gjurmë të pashlyeshme tek nxënësit, kolegët dhe te të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Për ne, ai ishte më shumë se kaq patriot e aktivist i palodhur, mik i dashur dhe pjesë e rëndësishme e organizimit tonë në Çair”, thuhet në ngushëllimin e Degës së BDI-së në Çair
Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Kujtimi për Hazbi Topojanin do të mbetet i përhershëm, vijon ngushëllimi.
Me ndarjen nga jeta të Hazbi Topojanit, Shkupi humbi një arsimtar të përkushtuar dhe një zë aktiv në jetën shoqërore.

