Këshilli i prokurorëve publik në mbledhjen e sotme të 40-të solli vendim për zgjedhje të Engjellushe Kadriu-Leshit, Aleksandar Markovskit, Ana Gogovska-Jakimovskës dhe Ana Stojkoviq-Dimitriovskës për prokurorë publikë në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryetari i Këshillit, Bashkim Selimi, në fillim informoi se në konkursin për pesë prokurorë publikë në Prokurorinë themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit u paraqitën tetë kandidatë, ndërsa Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro i tërhoqën kandidaturat dhe nuk do të shqyrtohen. Këshilli, pas shqyrtimit të kandidaturave, në votim publik nuk i votoi kandidatët Maria Gogjievën, Valentina Bislimovskën, Suzana Mirçeska-Kuzmanovskën dhe Ivana Aleksovska-Trajçevskën.
Anëtarja e Këshillit, Svetllana Stojkoviq, në paraqitjen e saj foli për ndryshimet e mandatit të prokurorëve publikë në PTHP NKOK prej katër në shtatë vite në propozim-vendimin e ri ligjor, duke cekur se pesë nga kandidatët e paraqitur tashmë kanë nga dy mandate në PTHP NKOK, që do të thotë tashmë tetë apo më shumë vite mandat në këtë prokurori. Sipas Stojkoviqit, mandati prej shtatë viteve nuk është shumë i shkurtë për të kontribuuar në këtë prokurori, ndërkaq i mjaftueshëm që të mos lejohet akumulimi i fuqisë. “Të gjithë janë prokurorë publikë cilësorë me profesionalizëm të dëshmuar. Por votën time do ta jepja për tre prokurorë të PTHP Shkup, të cilët nuk kanë punuar në PTH NKOK, ndërkaq me biografinë dhe punën e tyre të deritanishme e meritojnë mundësinë”, deklaroi Stojkoviq.
Keti Petkova u dakordua me qëndrimin e Stojkoviqit duke cekur se votën e vet do ta japë për tre kandidatët që nuk kanë punuar në PTHP NKOK, por edhe për Kadriu-Leshin, duke pasur parasysh atë, siç tha, duhet të ruhet edhe përfaqësimi i drejtë. Prokurori shtetëror publik, Nenad Saveski tha se nuk ka marrë pjesë në intervista, por i ka studiuar materialet për të gjithë tetë kandidatët, dhe të gjithë i njeh dhe është i njoftuar me punën e tyre, duke cekur se votën e vet do ta japë për të tre kandidatët që nuk vijnë nga PTHP NKOK, duke pasë parasysh, siç tha, qëndrimin e tij se duhet të ofrohet mundësia. “Çdoherë jam ithtar që secilit t’i ofrohet mundësia dhe të realizohet në një pozitë të caktuar. Tre nga kandidatët nuk janë pjesë PTHP NKOK. Për të gjithë kandidatët nga PTHP NKOK kam mendim të lartë dhe janë cilësorë në punën e tyre.
Kriteri im kryesor është se secilit prej prokurorëve publikë jashtë rajonit të Shkupit duhet t’i jepet mundësia ta shohë veten në njërën prej prokurorive. Sinqerisht, mua më zhgënjen ajo që për pesë vende ka vetëm tetë kandidatë. Dëshiroj të gjithë prokurorëve t’u jepet mundësia dhe të besojnë se do t’u jepet mundësia të përparojnë në karrierë”, deklaroi Saveski

