Pamjet që po i shihni vijnë nga Kroacia. Ky vend është goditur nga kthesa e papritur e motit me reshje të dendura të borës dhe erërave të fuqishme buzë Adriatikut.

Kroacia ka ndezur “alarmin e kuq” për përkeqësimin e motit, kurse shërbimet metereologjike shpërndajnë mesazhe njoftimi duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar nëse lëvizin drejt zonave të goditura. Në disa autostrada shtetërore kroate trafiku zhvillohet në kushte dimri. U bëhet thirrje qytetarëve që nëse kanë ndërmend të udhëtojnë drejt Kroacisë, të ndjekin motin dhe të kenë me vete pajisjet dimërore.

Stuhia me erëra dhe borë po drejtohet edhe në vendin tonë. “MeteoAlarm” njofton se nën ndikimin e një cikloni të ftohtë me qendër mbi Gjirin e Gjenovës, sonte gjatë natës dhe nesër pasdite, në Maqedoni do të ketë reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe erë të fuqishme jugore, lokalisht me shpejtësi deri në 60 km/h. Në pjesët perëndimore të vendit priten mbi 25 litra shi në metër katrorë.

Për shkak të depërtimit të masës së ftohtë ajrore nga veriu në pjesën veriperëndimore të vendit, në viset malore, reshjet e shiut do të shndërrohen në reshje bore dhe pritet të formohet shtresë dëbore mbi 15 centimetra.

Sipas “MeteoAlarm” ekzistojnë kushte që kufiri i dëborës të ulet nën 1.000 metra lartësi mbidetare.

Temperaturat do të bien dukshëm dhe në mëngjes do të jenë në intervalin nga minus 2 deri në 9 kurse gjatë ditës nga 6 deri 15 gradë.

Kthesa e papritur e motit, pritet t`i godasë pemët dhe perimet, të cilët janë në fazën e lulëzimit, gjë që mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në rendimentet bujqësore.

sqShqip