Danimarka njofton heqjen totale të kufizimeve
Danimarka do të heqë të gjitha masat ndaj COVID-19 nga 10 shtatori, kanë bërë të ditur zyrtarë shëndetësorë, duke thënë se virusi më nuk është “kërcënim për shoqërinë” për shkak të vaksinimit të gjerë në shtet.
Siç raportohet, mbi 70 për qind e danezëve tashmë kanë marrë të dy dozat e vaksinës. Ky shtet ishte ndër të parët që u mbyllën pjesërisht në mars të 2020-s.
Në vazhdimësi i ka lehtësuar masat dhe në prill prezantoi edhe “pasaportën e coronas” – duke treguar se kush është vaksinuar, kush ka qenë i infektuar e kush ka rezultuar negativë – për t’ua mundësuar njerëzve më lehtë qasjen në restorante, kinema, palestra e biznese tjera.
“Situata është nën kontroll, kemi regjistruar nivele të larta vaksinimi. Prandaj, nga 10 shtatori, mund të heqim masat e veçanta që i kemi prezantuar për të luftuar COVID-19”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, raporton “The Guardian”.
Gjithsesi, ai ka theksuar se pandemia s’ka marrë fund ende dhe se qeveria nuk do të hezitojë të veprojë shpejt sapo që pandemia t’ia kërcënojë funksionalitetin.
Danimarka është ndër shtetet më së paku të goditura nga pandemia në Evropë. Ka regjistruar 341 mijë raste të infektimit e 2573 vdekje në shtetin me gjashtë milionë banorë.