Kandidati i VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, në një takim me banorët e lagjes Çairi i Vjetër ka kujtuar rrugëtimin dhe sfidat e menaxhimit të komunës ndër vite, duke theksuar se shumë prej arritjeve janë bërë pa mbështetje institucionale.
Duke folur për mbështetjen e qeverive ndaj komunës, ai shtoi se kjo qeveri po mbështet projekte për të mirën e qytetarëve.
“Prej viteve ‘90 deri më sot nuk ka pasur qeveri që ka përkrahur komunat më shumë se ne. Më herët nuk kemi pasur përkrahje, ato projekte që ishin me valixhe, të Çairit i kanë çuar diku tjetër. Sot, në 3-4 muaj po bëhen projekte kapitale që nuk janë bërë me dekada”, ka theksuar Mexhit para banorëve.
Mexhiti paralajmëron boom investimesh infrastrukturore në Çair: Komuna e Çairit shndërrohet në kantier ndërtimi
Shkup, 13 Shtator 2025-Zëvendës kryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar sot një valë të re investimesh infrastrukturore, që do ta shndërrojë Çairin në një kantier ndërtimi si asnjëherë më parë.
Pas projektit për rikonstruksionin e rrugës “Ferid Murati” në lagjen Fushë Topanë-një investim prej 1 milion eurosh-do të nisë menjëherë rikonstruksioni i plotë i pesë rrugëve të tjera të rëndësishme: Ismail Qemali, Metodija Mitevsk, Mehmet Gega, Nikolla Maleshevski dhe Gjorgji Pop Hristov, tha Mexhiti.
‘Me një investim prej 47 milion denarësh, këto rrugë do të marrin një pamje të re dhe funksionale, duke përfshirë:Asfalt të ri dhe cilësor, Trotuare moderne, Ndriçim tërësisht të ri, Parkingje të reja dhe Sipërfaqe të gjelbërta dhe dekorative’ deklaroi Mexhiti.
Në të gjitha këto rrugë, shtoi ai, që shërbejnë edhe për linjat e transportit urban, do të vendosen zhardonjerë dekorativë dhe lule, për t’i dhënë Çairit një pamje më estetike dhe të pastër.
Një tjetër projekt që nis këtë të hënë, tha Mexhiti, është edhe rekonstruksioni i plotë i rrugës “Maksut Sadik”, e cila është një arterie kryesore që çon drejt Universitetit “Nënë Tereza”. Ky projekt do të lehtësojë qasjen për studentët dhe banorët, dhe do ta përforcojë rolin e Çairit si një komunë universitare në zemër të Shkupit.
“Ky është vetëm fillimi. Gjatë katër viteve të ardhshme, Çairi do të transformohet tërësisht. Ka përfunduar koha kur Çairi injorohej nga pushteti qëndror. Sot, falë bashkëpunimit tonë me Qeverinë, po realizohen investime historike,” shtoi Mexhiti.
Mexhiti tha se të gjitha këto projekte financohen nga fondet qeveritare, të siguruara gjatë 15 muajve të fundit të qeverisjes aktuale.
“U bëj thirrje qytetarëve për durim dhe mirëkuptim gjatë punimeve, sepse shumë shpejt do të kenë mundësinë të gëzojnë një infrastrukturë moderne, që i jep jetë të re Çairit,” përfundoi ai.