Alarmet e rrejshme për mjete shpërthyese nëpër shkolla si dhe sinjalizimet kërcënuese mund të kenë ndikim serioz në zhvillimin mendor të fëmijëve dhe nxënësve, të cilët po rriten në një periudhë të mbushur me sfida dhe pasiguri. Kështu vlerëson psikologu Lulzim Murtezani, i cili thekson se pasojat e këtyre situatave mund të shfaqen jo vetëm në momentin aktual, por edhe shumë më vonë në jetën e tyre.

“Këto alarme dhe sinjalizime janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin mendor të fëmijëve dhe nxënësve, të cilët jetojnë pikërisht në një periudhë kur, në përgjithësi, kërcënimet janë rajonale, lokale dhe globale. Dua të theksoj se për ne problem mbetet fakti që pasojat në sjelljen e tyre mund të shfaqen jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen. Shfaqja e traumës është një reagim normal ndaj kërcënimeve. Kjo traumë nuk shfaqet vetëm në momentin aktual, por mund të paraqitet edhe pas një periudhe shumë të gjatë kohore”, tha Lulzim Murtezani, psikolog.

Ai thekson se, përveç institucioneve të sigurisë, në raste që lidhen me shëndetin mendor, reagimet e pakontrolluara dhe dhunën, është e domosdoshme përfshirja e ekspertëve të fushave të ndryshme, përfshirë psikologët dhe specialistët juridikë.

“Nëse kemi probleme financiare, me siguri do të kërkojmë ndihmën ose do të aktivizohet policia financiare. Ndërkaq, nëse kemi probleme që lidhen me shëndetin mendor, me reagime të pakontrolluara, me dhunë dhe të ngjashme, atëherë është e domosdoshme që të përfshihen ekspertë, si në kuadër të policisë, ashtu edhe në fushën e jurisprudencës në përgjithësi. Këto janë veçanërisht të rëndësishme edhe për masat që mund të ndërmerren në të gjitha institucionet”, tha Lulzim Murtezani, psikolog.

Murtezani shpreh shqetësim edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale për përhapjen ose krijimin e informacioneve të rrezikshme, duke theksuar se kjo çështje kërkon qasje më serioze institucionale. Sipas tij, vetëm përmes bashkëpunimit institucional dhe angazhimit të ekspertëve mund të ndërmerren masa efektive për parandalimin e pasojave dhe për mbrojtjen e mirëqenies mendore të të rinjve. Kujtojmë që së fundmi, me muaj të tërë nxënësit tetovarë kanë jetuar nën ankhin e kërcënimeve për prani të mjeteve shpërthyese në shkolla, që fatmirsisht dolën të jenë të rrejshme ndërsa institucioneve u është dashur muaj që të detektojnë dhe të ndalojnë një të dyshuar, që doli të jetë një 18 vjeçar, nxënës i gjimnazit të Tetovës, i cili tani më është arrestuar./TVKOHA

sqShqip