Po bëhen përgatitjet e fundit për fluturimin çarter që nesër pritet të evakuojë shtetasit e Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara, Abdulkadar Memeti, theksoi për Alsat se janë kontaktuar të gjithë të interesuarit për evakuim, dhe aktualisht 147 udhëtarë kanë shprehur interesim për fluturimin e nesërm.
“Kemi kontaktuar një nga një të gjithë qytetarët që më herët ishin paraqitur në ambasadën tonë, por njëherit lëshuam edhe një kumtesë që nëse ka ngelur ende ndonjë i interesuar nga qytetarët e Maqedonisë që duan të kthehen në vendlindje. Momentalisht kemi grumbulluar të dhëna për mbi 147 udhëtarë të cilët kanë shprehur interesim të jenë në fluturimin e nesërm dhe gjithçka për momentin është duke shkuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë paraprakisht”, deklaroi Abdulkadar Memedi, Ambasador Emiratet e Bashkuara.
Memedi tha se një nga sfidat më serioze me të cilat janë përballur gjatë procesit të evakuimit që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, ishte interesimi i qytetarëve për udhëtim, e më pas mos paraqitja e tyre në aeroport.
“Kanë konfirmuar se duan të kthehen në vendlindje dhe në momentin kur jemi gjendur në aeroport, disa orë para fluturimit kemi kuptuar se ata nuk do të udhëtojnë. Faktikisht nuk janë paraqitur në aeroport dhe fatmirësisht koordinimin e bëjmë në atë mënyrë që shkojmë disa orë më herët në aeroport dhe përgatisim edhe një listë tjetër dikund 20 udhëtarë që kemi në listën e pritjes“, tha Abdulkadar Memedi, Ambasador Emiratet e Bashkuara.
Megjithatë Memedi tha se kanë arritur ta menaxhojnë këtë situatë duke mos lejuar që aeroplanët të fluturojnë të zbrazët apo qoftë edhe me një karrige të zbrazët, duke mundësuar edhe transportimin e shtetasve të vendeve fqinje, Kosovë, Shqipëri e Serbi. Deri më tani janë realizuar katër fluturime të organizuara për evakuimin e qytetarëve nga Lindja e Mesme, me të cilët janë transportuar 458 udhëtarë, prej tyre 380 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe 78 të huaj./Alsat.mk.

