SHVL: Komandanti i UÇK-së u nderua nga Tigrat e MPB-së
Përveç zëvendës kryeministrit Artan Grubi, i cili në luftën e vitit 2001 nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në aradhat e UÇK-së, njësiti special anti terrorist “Tigri”, dje me një pllakat jubilare ka nderuar edhe zëvendës ministrin e policisë, Nazim Bushi, i cili në luftën e vitit 2001 ka qenë komandant i njësisë nga pala e kundërt, por me të njëjtin emërtim, Brigadës 114 “Fadil Nimani – Tigri”. Shoqata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka reaguar ndaj homazheve që Grubi bëri tek pllaka përkujtimore e “branitellave”, si dhe nderimi që ju bë Bushit nga njësiti special që për 40 vite nuk ka asnjë shqiptarë në radhët e veta, ndërsa në vitin 2001, kishte qenë në linjat e para të luftës kundër UÇK-së dhe vetë njësisë që ka drejtuar atëherë Bushi.
Në reagimin e tyre me shkrim, veteranët e UÇK-së, kujtojnë se kjo njësi speciale luftoi Universitetin e Tetovës dhe vrau Abdyselamin, po kjo njësi speciale përdhunoi flamurin tonë kombëtar duke vrarë, arrestuar dhe malltretuar shqiptarët në ngjarjet e Gostivarit.
SHVL-UÇK
“Po kjo njësi speciale vrau shokët tanë të luftës. Me çfarë ftyre, a kanë ndërgjegje këta njerëz?!!! Njëri zëvendës kryeministër e tjetri zv.Ministër që gojën e kanë plot UÇK, sot u përkulën para ujqive e qenve, duke pranuar dekoratë për lojalitet. Që nga viti i kaluar kemi kërkuar që në Gostivar të ngremë shtatoren e Gjeneralit, Heroit Tahir Sinani dhe përgjigja nga partia e këtyre ishte negative shkaku se Tahir Sinani paska qenë UÇK ?!!! Parashtrohet pyetja, cilin popull e përfaqësojnë Artan Grubi dhe Nazim Bushi, a thua interesat i kuj i mbrojnë, kur pranojnë dekoratën e larë me gjak shqiptari? Vallë, kuj i keni shërbyer në vitin 2001 që sot në 2021 dekoroheni nga vrasësit e shqiptarëve”
Reagime të ngjashme me atë të SHVL-së ka pasur dje dhe sot edhe në rrjetet sociale ku i kanë kujtuar Grubit brohoritjet parazgjedhore për UÇK-në, derisa dje u nderua nga njësiti special që kishte pasur fjalën kryesore në luftimet kundër UÇK-së.
Grubi dje nuk ka dashur që të komentojë para mediave as faktin se njësia speciale anti terroriste “Tigri” për 40 vite që nga themelimi, nuk ka pasur asnjë shqiptarë në radhët e veta. Ky njësit, përveç demonstratave të vitit 1981, mbahet mend edhe për shtypjen e protestave të mëvonshme në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, që mbaheshin për Universitetin dhe flamurin kombëtarë. Ndërkaq në biografinë e njësisë, në mesin e sukseseve të “Tigrave” theksohen edhe shumë aksione gjatë dhe pas vitit 2001. /SHENJA/