Open Balkan, një rulet rus për shqiptarët
Ramazan Bekteshi
Ideja e Vuçiqit për Serbinë e madhe ende jeton. Ai edhe pas 27 vitesh e mban gjallë Republika Srbska-n me ndihma dhe lloj-lloj planesh pan-sllave së bashku me Rusinë duke e bërë Federatën e Bosnjës një krijesë jofunksionale. Rusia përmes Serbisë mundohet të paralizoj integrimin e shteteve ballkanike në BE dhe anëtarësimin e tyre në NATO.
Dëshira e Moskës përmes fushatave të ripërsëritura për të vënë ndikim të përhershëm në Ballkan shpesh edhe ka dështuar, si në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, megjithatë, ajo nuk tregon shenja të braktisjes së Ballkanit, duke i përkrahur politikanët e ekstremit të djathtë dhe politikanët autoritarë si Vuçiq, Dodik, dhe ish kryeministri Gruevski.
Derisa, Thaçi akomodoi vetë-veten si kryetar i Kosovës, për shërbime të ulta dhe manipulative e instalon Isa Mustafën si kryeministër, edhe pse ky ishte një humbës në zgjedhje. Me Isën në krye të qeverisë dhe me Thaçin kryetar, Kosova pësoi debakël si në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe në politikat shtetërore. Ata e ulën pazarin në dialog me Serbinë, bënë koncesione me Zajednicën, dhe e vodhën shtetin pamëshirshëm. Thaçi lansoi dhe përkrahu një ide serbomadhe të Vuçiqit për këmbim territoresh. Ai e mashtronte në sy opinionin Kosovar herë duke thëne se duhet bërë kompromise të dhimbshme në emër të paqes dhe pavarësisë e herë duke e ripërsëritur refrenin se Kosova nuk do të japi asgjë, por do t’i bashkëngjitej Kosova Lindore, Lugina e Preshevës.
Afrimi i tepruar i HTH me Vuciqin dhe përmes tij lidhet edhe me Putinin, duke i kërkuar Putinit që të vizitoj Kosovën dhe Rusia të hapte ambasadën e saj në Prishtine. Ishte ky një gjest fëmijëror i Thaçit kur dihet se Rusia ka për qellim influencën e saj në Ballkan dhe frenimin amerikan. Këtyre aventurave thaçiane u ndihmoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj duke ia lenë në përgjegjësi dialogun Thaçit. Edhe Haradinaj si Isa Mustafa bëhet kryeministër si humbës, por duke u bërë instrument i HTH edhe pas rezistencës së tij epike për Çakorrin, është mu Haradinaj që e nënshkroi demarkacionin me Malin e Zi duke i humbur Kosova 2800 hektarë.
Të gjitha këto aventura të HTH për këmbim territoresh, asnjë nga partia e tij PDK nuk doli haptas që ta kritikoj planin e tij të rrezikshëm, as Bolton, as Grenell, por e mbajtën në heshtje derisa doli e vërteta. Dështimi i planit të HTH ndodhi gjate fluturimit të tij për në Washington dhe aborti i fluturimit derisa ishte në qiellin gjerman. Të gjithë këta aventura me tokën kosovare të Hashim Thaçit, i përkrahu miku i tij Rama i rekrutuar në këtë lojë të rrezikshme nga Baton Haxhiu.
Tani, pa Thaçin dhe gërshërët e tij, shanset për Vuçiqin sikur janë zbeh. Sërish janë shqiptarët, ata qe ‘minishengenin’ e mbajnë të gjallë, këtë ide te vjetër dhe një plan serbo-rus. Derisa Hoti e nënshkroi ‘minishengenin’ në Washington DC, çuditërisht të gjithë heshtën përveç Albinit dhe Vjosës, por kur Rama i dha përkrahje vëllazërore Vuçiqit në Shkup, shqiptarët u zgjuan, por, kur atyre u doli gjumi ‘minishengeni i ri’ kremtonte suksesin në Korçë me tinguj të muzikës serbe që dikur i kishte frymëzuar kriminelët e luftës për të kryer masakra makabre ndaj shqiptarëve që si mban mend Evropa.
Ballkani i Hapur për Rusinë është një lojë jo vetëm për influencë ekonomike dhe politike por edhe të devijojë vëmendjen nga aktivitetet e saj ilegale në Ukrainë dhe shtete tjera evropiane. Rusia vazhdon të garoj në Ballkan për ndikim më të madh jo vetëm me BE-në dhe SHBA-në por edhe me Turqinë dhe Kinën.
Pos shqiptarëve që janë kontribuues të Open Balkan, fajtore është edhe Evropa e përçarë dhe politikat e gabuara të ish-presidentit Trump, politikat e tij pa koherencë e konsistencë në rajon, krijuan hapësirë për Rusinë dhe aleaten e saj Serbinë. Ardhja e Biden-it në krye të politikës amerikane sikur i ka frenuar aventurat ruse në Ballkan me këtë edhe ëndërrën serbe për këmbim tokash.
Derisa shqiptarët vazhdojnë të përçahen, Rusia vazhdon të veproj në Ballkan me Sputnik-un e saj (serb e shqiptar), të instaluar në Tirane e Prishtine, dhe me sulmet e saj kibernetike. Derisa shqiptarët grinden, ajo luan edhe me sentimentin fetar, me vëllazërinë ortodokse, që këndon në Korçë dhe e nxit në Tiranë, përmes elementeve muço-nanoiste dhe brekushkave të piktorit.