Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi thuhet se ka përpiluar një “listë të zezë” me emra të rëndësishëm politikë. Mes tyre përmenden Bujar Osmani dhe Mile Zeçeviq, ndërsa burime politike flasin edhe për funksionarë të tjerë nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë që mund të përmenden në dëshmitë e tij.

Sipas informacioneve të Fokus, pas ndryshimeve politike, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte bërë një përpjekje për t’i siguruar ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi një terren më të favorshëm për betejën e tij ligjore përmes kanaleve politike. Megjithatë, kjo përpjekje ishte refuzuar kategorikisht nga qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe partia VMRO-DPMNE, informon PressOnline.al

Persona të afërt me Grubin pretendojnë se ai ishte larguar me shumë vështirësi dhe se e kishte të vështirë të qëndronte larg shtëpisë dhe familjes së tij. Nëse kjo është e vërtetë, lind pyetja: a ka rënë ai në një krizë personale dhe ka vendosur të kthehet pa pritshmëri të mëdha, apo gjendja e tij është shfrytëzuar nga kundërshtarët politikë të Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilët mund ta kenë tërhequr në anën e tyre?

Sipas burimeve të mirëinformuara, Grubi prej kohësh po përpiqet përmes kanaleve të ndryshme politike, por edhe familjare, të arrijë një marrëveshje për kthimin e tij. Këto përpjekje janë intensifikuar me kalimin e kohës për disa arsye – dëshira për t’u kthyer pranë familjes, ndjenja se ishte lënë mënjanë dhe harruar nga qendra e partisë në Reçicë të Vogël, si dhe pretendimet se ishte bërë objekt kërcënimesh.

Nëse e gjithë kjo e ka shtyrë Grubin të kërkojë dhe të sigurojë një rikthim nën kushte më të favorshme – siç përmendet mundësia e arrestit shtëpiak – atëherë lind pyetja se çfarë mund të ofrojë ai në këmbim?

Siç pohon një përfaqësues i pushtetit, Grubi ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të flasë dhe të tregojë gjithçka që di për disa ish-bashkëpartiakë në parti dhe në qeveri.

Sipas të njëjtave burime, personi që ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-ve, thuhet se ka përpiluar edhe një “listë të tij të zezë”, ku në plan të parë përmenden pesë emra: Blerim Bexheti, Kreshnik Bekteshi, Bujar Osmani, Mile Zeçeviq dhe Vice Zaev.(PressOnline.al)

sqShqip