Kolumna

Kosova nuk është Afganistan!

Fadil Maloku
1. Kapitalizmi global në esencë edhe sot e kësaj dite vë në siklet dhe në pikëpyetje të madhe identitare shtetet, kombet, bile edhe vendet me traditë të gjatë demokratike. Ndërkaq, për vendet dhe shtetet që sapo kanë filluar të ndërtojnë vlerat demokratike, është interesant se demokracia dinë ngandonjëherë të tregohet edhe shume problematike dhe shumë e vështirë për t ‘u implementuar në jetën e re sociale, politike e sidomos sosh ekonomike të një vendit. “Demokracia shpesh i dobëson shtetet sepse bënë të nevojshme kompromise jofunksionale dhe qeveri të brishta koalicionesh në shoqëri ku institucionet burokratike nuk kanë funksionuar kurrë si duhet. Për këtë arsye demokracia as nuk formon e as nuk i forcon fillimisht shtetet”. Globalizimi i aktiviteteve të reja ekonomike, me faktin e krijimit të organizatave të reja mbinacionale, bën që identiteti i shtetit si mekanizëm i gjertanishëm dinamik të zëvendësohet me lehtësi me projektin e sipërpërmendur. Pra, procesi i ri i tipit të demokracisë neoliberale, padyshim që pretendim e ka jo vetëm zëvendësimin e rolit të shtetit si koncept dhe strategji moblizuese për masat e gjera qytetare, por edhe largimin e tërësishëm të tij nga skena e transaksionëve historike, siç është duke ndodhur aktualisht në Kosovë. Pra, problemi është fakti se si do të jetë e mundur që të ushtrohen këto lloje këto transaksionesh pa prezencën e instrumentit të shtetit, kur ai të jetë mënjanuar nga skena e përgjithshme botërore? E në veçanti, kur dihet që shteti si instrument politik përveç tjerash jep edhe garancinë dhe sigurinë e fuqishme për këto gjëra? Padyshim që kjo është një çështje fundamentale në diskursin e demokracisë liberale dhe të asaj neoliberale. Përgjigjja në këtë pyetje, sipas shumicës së ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm ende nuk është në horizont.

2. Por, si qëndron çështja me shtetet që aktualisht janë anëtarësuar në identitetin e ri të quajtur BE-ane? Në të vërtetë, ato de jure janë bërë pjesë e demokracisë liberale, por de facto asnjëra nga këto shtete ende (e mendoj edhe për një kohë të gjatë as që do të mund ta quajë veten demokraci liberale e tipit identifikues evropian) nuk është bërë liberale.Është poashtu interesant se të gjitha këto shtete të anëtarësuara i kanë kushtetutat të cilat janë përshkruar nga vendet të cilat kanë dalë nga tradita liberale, por nuk kanë ndonjë kulturë dhe traditë demokratike të mirëfilltë qytetare, që është një element shumë i rëndësishëm për të funksionuar demokracia e vërtetë. Demokracia liberale, për vendet të cilat janë duke kaluar katrahurat e transicionit, pa dyshim që pa elementin e traditës qytetare është vështirë të funksionojë si duhet, kjo vlen sidomos për shtetet e transicionit, siç janë psh. Kosova, Maqedonia, Serbia, e Bosnja të cilat e kanë më të theksuar problemin e lartpërmendur. Sipas kësaj logjike, të gjitha këto vende kanë instaluar demokracinë e tipit liberal, por asnjëra në esencë nuk mund të thuhet se i përket natyrës së demokracisë liberale.
Të gjitha këto vende i kanë instaluar kushtetutat e ish- vendeve apo shteteve demokratike dhe liberale, kurse u mungonte elementi apo paradigma kryesore e identifikimit, ajo e traditës apo kulturës demokratike që nuk mund të fitohet edhe aq shpejt, ngaqë duhet një kohë më e gjatë e kultivimit të këtyre raporteve.

3. Për shembull, ne në Kosovë kemi institucione të cilat nuk funksionojnë (jo ndoshta edhe për shkak se kanë defektet e tyre, bie fjala të natyrës juridike, apo të asaj politike dhe ekonomike), për shkak se ne nuk jemi as gjermanë e as anglezë, pra nuk posedojmë ende mentalitet mobiliteti të theksuar në obligimet ndaj kombit dhe shtetit. Tani, duke krahasuar këto zhvillime, me proceset aktuale globale, kuptojmë se; Shqiptarët duhet tē jen të gatshëm për luftë, në rast se e dëshirojnë paqën! Duke dëgjuar mbrëmë fjalimin e Joe Bidenit, para kombit amerikan për arsyet e tërheqjes nga Avganistani, kujtoj që ne si një komb me dy shtete e dy ushtri, duhet t’i mësojmë ca leksione; a/Amerika, nuk udhëhiqet nga emocionet, inatet personale, e as nga ato ndërkombëtare, por, nga pragmatizmi dhe interesat afatgjat kombëtare. b/ Amerika, në përvojat e luftërave qē u kalit si perandori dhe superfuqi botërore, hargjon miliarda miliarda dollar (në armatim të sofistikuar) vetēm e vetëm që ushtarin e saj të mos ta bëjë kurban për interesa të saja, e aq më pak për për dike tjetër, kushdo qoftë ai; c/ Amerika, ta çmonë miqësinë dhe sakrificën që e bë ti për vetën tënde, e që shkon edhe nē favor të saj. d/Amerika, investimet në siguri dhe stabilitet nuk i kalkulon vetëm në afate të shkurtëra, por, kryesisht afatgjata.e/ Amerika, për dallim na Avganistani, në Europë (ku fatmirēsisht gjendemi ne) ka krejt interesa tjera; politike, ekonomike, kulturore, e gjeostrategjike…