Dossier

Ja si i përcillte shërbimi sekret maqedonas deputetët dhe gazetarët shqiptar (IN MEMORIAM-Ramush Tahiri)

IN MEMORIAM

RAMUSH TAHIRI
Pusho në paqë miku im besnik!
Gëzo Amshimin bashkë me babain tënd!

Shkruan: Dijana Toska, Shkup
Miq të dashur, po i ndaj me ju disa përjetime nga vdekja e babait të Ramushit më 1994.

KIDNAPIMI I KOSOVARËVE
Shkup, 1994
Kujdes! Po përcilleni në çdo hap
Segmente të caktuara shtetërore maqedonase ishin bërë shumë vigjilente në vëzhgimin e çdo lëvizjeje të shqiptarëve, të cilët ata i kualifikonin si të dyshimtë. Survejimi ishte i orientuar kryesisht ndaj deputetëve dhe gazetarëve nga Kosova, të cilët, përkohësisht, kishin gjetur strehim në Maqedoni. Nën mbikëqyrje ishin të gjitha vendtakimet dhe asnjë veprim nuk shpëtonte nga vëzhgimi.
Milazim Salihu kishte mbaruar studimet për kamerë në Akademinë e Filmit në Kroaci. Kishte ardhur në Shkup në fillim të vitit 1994, si xhirues i lirë, i akredituar nga Sekretariati për Informata i RM. Kishim punuar bashkë në TVP.
Tani po rrinim, thuaja çdo ditë në restorantin “Fufo”. Me 28 qershor, kishim ndenjur së bashku edhe me kolegë të tjerë, duke biseduar lidhur me punën dhe përditshmërinë tonë. Afër mesnatës, duke u kthyer në banesë (në qendër të Shkupit), ku jetonte, 4 persona e kishin ndaluar, ia kishin lidhur duart dhe sytë, ia kishin marrë çelësat e veturës e të banesës dhe e kishin futur në një veturë. Pas një vozitjeje tejet të gjatë, e kishin nxjerr nga vetura dhe e kishin futur në një bodrum. Gjithçka ishte nga betoni, edhe krevati, edhe karriget, ndërsa tavolina ishte e përgjakur. “Në pyetje më merrnin gjithmonë, nga dy civilë, ndërkohë që para meje i kishin hedhur mbi 100 fotografi, të bëra me njerëz të ndryshëm, me të cilët kishim ndenjur në “Fufo”. Për secilin më pyetnin: kush është, çka bën, çka thotë, pse u takuat, pse kanë ardhur nga Kosova… pse, pse…?”, tregonte ai, pasi ishte liruar.
Gazetarit, Ramush Tahiri, i cili njëherëësh mbante postin edhe të nënkryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kishte vdekur babai në Ferizaj. Nuk mundi as të merrte pjesë në varrim, që t’i thoshte lamtumirën e fundit, anise ishte vetëm 50 kilometra larg ceremonisë mortore, që po zhvillohej më 23 qershor. Për këtë arsye, Milazimi kishte hapur derën e tij dhe bashkë me Ramushin pritnin miq, shokë e kolegë, që vinin në numër të madh për ngushëllime edhe nga Kosova.
Kjo ardhje e kosovarëve në banesë kishte tronditur sigurimin shtetëror të Maqedonisë. Çka po ndodhte brenda asaj banese, çfarë puçi shtetëror po përgatitej, a po ndahet Maqedonia, a po krijohej Shqipëria e Madhe?!
Milazimi ishte cilësuar nga Sigurimi shtetëror si njeriu kryesor i SHIK-ut dhe i QIK-ut në Maqedoni.
Të nesërmen, në takimin e zakonshëm me Ramushin, i komentuam ngjarjet ditore. Por, shihej qartë një shqetësim në shpirtin e tij. Mendova që e ka nga mërzia për vdekjen e babait të tij. Mos qofsha në lëkurën e tij, mendova. Të qëndrosh kaq stoikisht edhe në këto ditë zie, kur të qajnë, jo vetëm sytë që shihen, por të vajton shpirti nga brenda, e ai gjenë fuqi të flasë edhe për raportin ditor, që duhet ta dërgojë në “Bujku”. O zot, jepi fuqi t’i përballojë këto sfida të rënda jetësore, bëja më të lehtë dhembjen, thosha me vete. Ndërsa babai i kolegut tim, sigurisht që do prehet në qetësi me mburrje, që edukoi e la pas vetes trashëgimtarin e tij të vetëm. Po e hetoja se nuk kishte dëshirë shumë të fliste për këtë temë. I mjaftonte të fliste vetë me të, t’i kërkonte falje nga largësia e t’i falënderohej për gjithçka që bëri, ashtu siç bën babai për të birin.
Në stilin e tij të qetë, më thotë: “More, mbramë Milazimi nuk ishte kthyer në banesë, e as veturën nuk e kishte aty! Çka ka mund t’i ndodhë?”.
– O Ramush, – i them, – Milazimi është djal i ri e i bukur, i pavarur dhe, pale, ku është kah kënaqet me ndonjë të dashur të tij.
– Jo, nuk besoj. Ku të ishte ai fat të ndodhte kjo që thua ti.
Nuk më tregoi shumë detaje, sepse në ato çaste që po flisnim, erdhi dikush nga deputetët, u ulë me ne dhe biseda jonë mori kahe tjera.
Shtatë ditë të rënda tmerri, brenda katër mureve të një bodrumi kishte përjetuar Milazimi i kidnapuar. Shtatë ditë makthi ishin edhe për Ramushin dhe për ne. Nuk kishte mbetur derë pa u hapur. Ishin alarmuar të gjitha Organizatat për të Drejtat e Njeriut, ndërkohë që familja e Milazimit kishte njoftuar edhe ato organizata dhe institucione me renome ndërkombëtare.
Me 2 korrik, zhvillova një intervistë me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Stojan Andov. Pas intervistës i shpreha brengosjen time për kolegun tim të kidnapuar në mes të Shkupit. E pyeta: z. Andov, ku po e çojnë këta hapa dhe çka po arrin shteti me këto masa të frikshme, që po ndërmerr ndaj shqiptarëve? Më tha se për herë të parë po dëgjonte për diçka të tillë, që i vjen shumë keq dhe se shteti nuk guxon të frikësohet nga fjala e lirë, por përkundrazi.
I thashë se sot kemi vendosur, të gjithë korrespodentët e huaj, ta njoftojmë opinionin ndërkombëtar për kidnapimin e kolegut tonë.
– Mos u ngutni! – më tha – Të shoh për çka bëhet fjalë. Nesër ejani në kabinetin tim dhe do të interesohem për rastin e do t’ju njoftoj.
Me 3 korrik u takuam me Ramushin. I tregova çka më tha kryetari i Parlamentit. “Shumë mirë që është njoftu edhe ai, por ne të mos presim! Të shkojmë tani menjëherë te nënkryetari i Parlamentit, Xheladin Murati”, tha Ramushi.
Me ne erdhi edhe Bedri Sadiku. Xh. Murati na priti në kabinetin e tij tejet miqësisht. Ramushi ia shpjegoi rastin në detaje dhe i tha se nuk dihej asgjë për fatin e Milazimit. Në ishte i gjallë a i vdekur. U shqetësua, u tmerrua njeriu kur dëgjoj rrëfimin. Mori telefonin në dorë, i urdhëroi sekretares së tij që ta lidhte me kryeshefin e Sigurimit Shtetëror, Sllobodan Bogojevskin. Ajo pas pak hyri në zyrë e i tha: Qenka në një takim zyrtar. Me ton urdhërues, i tha: Urgjentisht i thuaj të më lajmërohet, nga kudo që është. Pas një minute, në telefon u paraqit Bogojevski. Xheladin Murati po fliste në mënyrë të prerë, me ton urdhërues, kërkues, i vendosur. Po i thoshte Bogojevskit se “njeriun që e keni kidnapu, menjëherë ta lironi, përkundrazi…!”.
O zot, nuk u besoja premtimeve të policëve maqedonas. Por, në ato çaste një gjëje i besova, fjalës së një burri shqiptar, i cili kishte ardhur në pushtet, i bindur se, nëse duhej, do të ballafaqohej edhe me vetë pushtetin. Sa Xheladina i ka sot populli shqiptar në Maqedoni?
Pasditja e 3 korrikut për ne u shndërrua në festë. Milazimi kishte lindur për së dyti.
Mirëpo, shumë shpejtë iku për në Kroaci, i detyruar nga kërcënimet, që nuk kishin të ndalur.
Kidnapimi i Milazimit, fotot tona në sigurimin shtetëror me të gjithë njerëzit që kishim ndenjur, e sidomos me ata nga Kosova, pyetjet e parashtruara një javë rresht për punën tonë, ishin sinjal i mjaftueshëm se ishim të përcjellë në çdo hap dhe se duhej të kishim kujdes për veprimet dhe lëvizjet e tona të mëtutjeshme.