Ministria e Transportit sot ka shpallur Thirrje publike për furnizimin e 150 autobusëve ekologjikë elektrikë dhe 75 stacione për mbushje. Në pajtim me planin për furnizim, 100 autobusë janë dedikuar për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjera për komunat.

Ofertuesi më i volitshëm është i detyruar të prodhojë dhe të dorëzojë 30 autobusë me afat prej gjashtë muajve, 60 autobusë me afat prej 12 muajve dhe 60 autobusë në afat prej 18 muajve.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm është 30 marsi i këtij viti.

Sipas Ministrisë së Transportit, prokurimi i autobusëve ekologjikë elektrikë paraqet angazhim të qartë politik për mbrojtjen e mjedisit, si dhe për përmirësimin e efikasitetit të transportit publik në Shkup dhe komuna tjera. Përveç përfitimeve ekologjike, kjo tregon se prokurimi i autobusëve të rinj sjell edhe përfitim ekonomik në planin afatgjatë me harxhime të reduktuara të mirëmbajtjes dhe energjisë.

“Kjo është pjesë e planit strategjik për transformimin e sistemit të transportit të qytetit dhe rritjen e efikasitetit të rrjetit transportues. Me këtë investim, ne dërgojmë mesazh të qartë në luftën kundër ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët në përdorimin e transportit publik, si investim afatgjatë në sektorin e transportit dhe shërbimet publike”, njoftoi Ministria e Transportit.

Thirrja publike është publikuar në servisin elektronik të Byrosë së Prokurimit Publik dhe mund të shihet në linkun e mëposhtëm: https://e-nabavki.gov.mk/PublicAccess/home.aspx#/dossie/fde19674-bc01-4b44-859d-a9202c88f3d3/1.

sqShqip