Etem Xheladini

Thotë populli: “Mos pyet, se tregojnë vetë.”Dhe ja ku e kaluara flet, më zëshëm se çdo konferencë për shtyp. Një dokument i vitit 1990 u bë publik, me titull “Shoku Tito, trim i rrallë”, një himn adhurimi për figurën e Josip Broz Tito.
Ironia ku qëndron, te padrejtësia duke hapur plagë që disa do të donin t’i mbanin të mbyllura. Por kjo nuk është thjesht një histori që mund të shlyhet.
Kjo është çështje koherence, çështje kujtese, çështje morali politik. Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë. Kush ishin lojalët e sistemit dje, dhe kush janë sot. Kur disa këndonin për Titon, të tjerët luftonin për shqipen.
Shiquar historikisht nga viti 1981 deri më 1992 shqiptarëve iu mohua gjithçka që kishte aromë kombëtare:
– Arsimi i mesëm në gjuhën shqipe
– E drejta për emra shqip
– Përdorimi i simboleve kombëtare
– Shprehja e lirë e identitetit
Ishte koha kur sistemi kërkonte nënshtrim, jo dinjitet.
Ndërsa kur disa thurnin elozhe për pushtetin, në Kumanovë dhe në Karadakun e Likovës edhe për kundër represaljeve nga pushteti i kohës, hapeshin paralele të shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe pa lejen e pushtetit (1991), organizoheshin ndihma për Kosovën (1985-1999), rezistohej për ekzistencë. Aty ku kishte presion, kishte edhe qëndresë, nuk ishte rastësi që në vitin 2001 përplasja shpërtheu pikërisht në ato treva që kishin histori mosnënshtrimi. Historia nuk shpërthen rastësisht, ajo akumulohet.
Elita e re, me rrënjë të vjetra lojaliteti!
Sot shohim një fenomen të çuditshëm, disa nga bijtë e lojalistëve të sistemit të djeshëm janë bërë flamurtarë të patriotizmit të sotëm. Jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në treva të tjera shqiptare jashtë shteteve amë, po shfaqet e njëjta skemë, pushteti ndërtohet mbi lojalitet vertikal, jo mbi meritë kombëtare.
Një bashkëveprim i heshtur mes pasardhësve të atyre që ishin të bindur ndaj sistemit maqedonas apo serb, po krijon një klasë politike që e ka më të lehtë kompromisin me pushtetin sesa përballjen për kauzën kombëtare.
Ndërkohë, pasardhësit e atdhetarëve, ata që sakrifikuan, që ndërtuan arsimin, që ruajtën identitetin, që rezistuan, shpesh përjashtohen si të padëshirueshëm në pushtetet “pluraliste”.
Pluralizëm në letër, seleksionimi në praktikë.
E kaluara nuk është dekor, është provë!
Sot dokumentet përdoren si armë politike, por më e rrezikshme se dokumenti është harresa selektive.
A është kjo betejë për transparencë,apo luftë për ta diskredituar kundërshtarin. Në fakt, problemi është transformimi i menjëhershëm nga lojalist në patriot radikal, pa asnjë reflektim, pa asnjë autokritikë, pa asnjë distancim moral. Populli kërkon qëndrueshmëri, kërkon koherencë, kërkon guxim për të thënë: “Po, kam qenë pjesë e atij realiteti, por sot mbaj këtë qëndrim.” Sepse koha ndryshon, sistemi bien, liderët ndërrohen. Por kujtesa kolektive nuk fshihet me konferenca për shtyp. Dhe historia, herët a vonë, i nxjerr të gjithë para pasqyrës.

sqShqip