Rama nuk e ka me Albinin, por me këdo që futet mes tij dhe Vuçiçit
Andi Bushati
Edi Rama i ka ngulur një thikë pas shpine forcës negociatore të qeverisë së Albin Kurtit, e cila është në hapat e parë të një dialogu të vështirë me Serbinë.
Duke fajësuar Kosovën, për mospërparimin e tryezës së Brukselit, Kryeministri i Shqipërisë jo vetëm ka hedhur një hap që do të përbënte skandal për çdo vend normal, jo vetëm është treguar më katolik se papa, me qëndrime shumë më radikale se BE e SHBA-ja, por ai ka lënë pas edhe idenë se serbët-, që janë të përbetuar në mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës-, qenkan më të ndershëm dhe më të hapur në procesin negociator.
Duke i akuzuar dialoguesit e Prishtinës se ata e mbajnë kokën nga e shkuara e tyre e dhimbshme dhe se po e përdorin politikën e jashtme në favor të asaj të brendëshme, ai i ka dhënë një argument të mirë në duar Beogradit për të shenjuar me gisht në mbarë botën fajtorët e mosgjetjes së kompromisit.
Por sado i rënëdë dhe i dëmshëm të jetë ky qëndrim për Albin Kurtin dhe procesin pothuajse të pamundur të gjetjes në Bruksel të kompromisit me Vuçiçin, qëndrimi i Ramës nuk mund të merret vetëm si një politikë personale ndaj homologut të tij kosovar.
Aty del një gjë e qartë. Edi Rama ka pasur marëdhënie konfiktuale me të gjithë liderët e Kosovës me radhë. Shigjetimeve të tij nuk i kanë shpëtuar as Haradinaj, as Isa Mustafa, as Vjosa Osmani, madje as Hashim Thaçi, që njihet publikisht si miku i tij. Dhe po ti qëmtosh me vëmendje këto përplasje, ato kanë ardhur kryesisht për dy tema, ose për planin e ndarjes së Kosovës, ose për atë të mini Shengenit.
Pra për dy projekte që Edi Rama i ka hartuar së bashku me Vuçiçin.
Për këtë kuptuar këtë, sinjifikativ është një episod i takimit të liderëve ballkanikë në dhjetor 2019, që u zhvillua në Shqipëri. Aty presidenti serb i tërhoqi vërejtjen kryeministrit tonë se ai luante shumë në mbrojtje dhe nuk promovonte me zell, idenë e shkëlqyer të mini Shengenit. Kaq u desh dhe kur mori fjalën Rama nuk kurseu as Ramushin, as Vetëvendosjen, madje as Hashim Thaçin që e pati bojkotuar atë samit.
Kjo po ndodh edhe tani. Për të ralizuar projektet e tij të Ballkanit të hapur me autokratin serb, kryeministrin tonë do e pengonte çdo kush që i kujton të shkuarën kriminale të Serbisë në Kosovë dhe planet e saj për ta ripushtuar ekonomikisht atë përmes mini Shengenit.
Në këtë rol sot është vënë Albin Kurti, që po i mbron ashtu siç di ta bëjë ai, me më tepër kryelartësi dhe forcë, pothuajse të njëjtat parime që kanë pasur edhe paraardhësit e tij.
Prandaj Rama sot po do të godasë pas shpine dhe të dobësojë pozitën negociuse të Albinit. Sepse ndonëse ai është një pengesë shumë e fortë, ai përbën barierën e radhës në lidhjen okulte me Vuçiçin.
Pra në këtë kuptim, Edi Rama nuk e ka thjeshtë me Kurtin, ai do të trajtonte po njësoj këdo që bëhet pengesë për projektet e tij me Vuçiçin. Dhe në fakt, atij nuk i interesojnë as këto nisma në vetvete. Ai do thjeshtë të jetë pjesë e tavës. Ai do të luajë rolin e një lideri të rajonit. Sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe që dikush i cili ka miratuar një zgjidhje me ngritje muresh, si ajo e shkëmbimit të territoreve dhe popullësive, të bëhet papritmas idhtar i një tjetre, krejt të ndryshme, që mëton ti rrënojë ato përmes Ballkanit të hapur pa kufij dhe pa barriera.
Edi Rama nuk ka as bindje dhe as ideale. Ai ka vetëm qëllime. Atij i duhet një projekti i përbashkët me Vuçiçin, për të mbuluar përmes statusit të të qenit faktor rajonal, krimet që ka kryer në nivel lokal. Nëse ai shet fabulën e njeriut që do pajtojë shqiptarët me serbët, pak kush do të guxojë të mbajë shënim vjedhjet masive të parave publike, grabitjen e votës, lidhjet me krimin. Pikërisht për këtë i duhet binomi me presidentin serb. Prandaj dhe kushdo që e kundërshton atë, do bëhet pre e goditjeve si ajo e së martës në Facebook.