Arsim Sinani dhe Qerim Lita: Dokumenti origjinal i MO-së ka ekzistuar në Arkivin shtetëror, Grubi bën politikë (FOTO)
Studiuesi Arsim Sinani dhe historiani Qerim Lita hedhin dyshime se dokumenti që u publikua dje nga zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, si origjinali i Marrëveshjes së Ohrit, është një kopje e marrëveshjes së Ohrit, e jo vetë dokumenti origjinal.
I pari që i hodhi dyshimet për këtë ishte Sinani.
Ai për TV21 thotë se dokumenti origjinal ekziston në Arkiv dhe se ai vetë, për qëllime studimore e ka pasur në duar që në vitin 2012, kur përgatiste doktoratën me temë ‘Moszyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë’.
“Marrëveshjen e Ohrit e keni te libri im ‘Moszyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë’. Aty kam publikuar disa dokumente, ku mes tyre është edhe dokumenti i Marrëveshjes së Ohrit. E kam pasur të plotë dokumentin, por unë në libër e kam nxjerrë vetëm faqet e para dhe të fundi. Dokumenti që është në libër është origjinal, e kam marrë në Arkiv. Arkivi nuk arkivon dokumente joorigjinale. Dokumentin e kam kërkuar për çështje studimore, për doktoraturën. Do të thotë, unë kam doktoruar në vitin 2013, ndërkaq dokumentin nga Arkivi e kam marrë në vitin 2012.
Sinani dokumentin e ka marrë në kohën kur zëvendësdrejtor i Arkivit ka qenë Qerim Lita.
Lita konfirmon të njëjtën. Dokumenti origjinal është arkivuar në Arkivin shtetëror që nga viti 2010 dhe është marrë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
“Ai (Arsim Sinani) ka marrë dokumentin origjinal që është arkivuar në dosjen 14/07 në Arkivin shtetëror të Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit është përpiluar në 6 ekzemplarë. Një ekzemplar është për kryetarin e shtetit, një Kuvendit dhe katër ekzemplarë u kanë takuar katër partive politike: VMRO-DPMNE-së, PDSh-së, LSDM-së dhe PPD-së. Dokumenti që është arkivuar në vitin 2010, është marrë prej Kuvendit, është origjinal, me urdhrin e asaj kohe, udhëheqësit të sektorit të depos, ka shkuar dhe e ka marrë në Kuvend dhe e ka arkivuar me dosjen 14/07 në Arkiv. Dokumenti i arkivuar posedon edhe tre anekset: A, B dhe C. Aty janë nënshkrimet”, sqaroi Lita për TV21.
Tani, sipas tij Kuvendi nuk posedon një ekzemplar të MO-së.
“Arkivi tani e ka këtë dokument. Në Kuvend nuk ka ekzemplar të MO-së”, sqaron Lita.
Sinani dhe Lita hedhin dyshime se dokumenti i Ilir Lumës është ekseplari që u është dhënë partive politike, por të njëjtit i mungojnë shtojcat apo tre ankeset që i posedon dokumenti në Arkiv.
Promovimi që u bë dje, e shohin si amulli politike, ndërkaq porositin: Historinë, dokumentet t’ua lenë historianëve dhe mos të merren politikanët me të.
“Për mendimin tim ajo çfarë dje u publiku, është vetëm një kalkulim politik”, tha Sinani për TV21.
Kurse dje, Grubi në vigjilje të shënimit të 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, tha se ka siguruar dokumentin origjinal të Marrëveshjes, e cila sipas tij është ruajtur nga Ilir Luma nga Tetova. Të njëjtin e dërgoi në Arkivin e Maqedonisë së Veriut./TV21